Bashkia Kukës ka nxjerrë në shitje aksionet që ajo zotëron në Klubin e Kukësit. Pas vendimit të qeverisë që të mos ketë më klube futbolli që varen nga bashkitë, ka ardhur dhe lëvizja konkrete nga ana e Bashkisë Kukës.

Këshilli Bashkiak ka miratuar vendimin për të hedhur në ankand aksionet e Futboll Klub Kukësit që bashkia ka në zotërim, në përputhje me ndryshimet e bëra në ligj në vitin 2020,

“Bashkia zotëron 12.5% të aksioneve. Kjo nismë ka ardhur pas ndryshimeve të bëra për ligjin për sportin që detyron bashkinë që të shesë aksionet në shoqëri sportive.

Ne pas kësaj nisme kemi kontraktuar një studio auditi që ka bërë vlerësimin e vlerës së aksioneve dhe vlera minimale është 6.5 milionë të reja“, deklaroi për SuperSport Granit Gjana, nënkryetari i Bashkisë Kukës.

87.5% e aksioneve aktualisht i zotëron zoti Lavdrim Gjici, i cili ka dhe pjesën vendimmarrëse, ndërsa tashmë pret të mësojë se kush do të jetë partneri i tij në klubin e Kukësit. nënkryetari i Bashkisë Kukës, po ashtu ka treguar për SuperSport dhe procedurat që do të ndiqen për shitjen e aksioneve që zotëron institucioni vendor.

“Bashkia ka marrë të gjitha masat dhe ankandi është publik. Kush ka interes të marrë aksionet që zotëron bashkia janë të mirëpritur që të marrin dokumentacionin siç i parashikon ligji. Ankandi do të qëndrojë i hapur deri në datën 4 prill dhe më pas do të vlerësohen ofertat që do të vijën për aksionet që zotëron bashkua tek FK Kukësi“.

Sa i takon stadiumit “Kukës Arena”, ai do të mbetet në pronësi të Bashkisë Kukës.