Nisja jo e mirë që ekipi i basketbollit të meshkujve të Vllaznisë i ka bërë kampionatit të ri, natyrisht që ka shqetësuar jo pak mbështetësit e tij. Dikush akuzon Bashkinë për mungesën e fondeve, dikush për largimin e presidentit Dibra dhe ka edhe nga ata që mendojnë se ky ekip po shkatërrohet. Megjithatë, nëse i referohesh një raporti të bërë publik nga ky institucion, rezulton tjetër gjë. Sipas tij, vetëm për basketbollin në vitin 2016, Bashkia Shkodër ka akorduar mbi 60 milionë lekë!!! Dhe këtij nuk i thonë shkatërrim madje kjo Bashki mund të jetë ajo që e ka financuar më shumë sportin se çdo tjetër. Ja raporti i plotë i bërë publik nga ajo:


“Ka mjaftuar humbja e fundit e ekipit të basketbollit të meshkujve të Vllaznisë ndaj Kamzës dhe në rrjetet sociale kanë “vërshuar” komentet dhe shkrimet e ndryshme në lidhje me të, madje duke shkuar deri aty  sa të shkruhej se Bashkia Shkodër po braktis Vllazninë!!! Në fakt, rezulton e kundërta. Shifrat  në fakt tregojnë tjetër gjë. Për vitin 2016,financimi për basketbollin ka qenë më i madh se çdo vit tjetër. Nëse për vitin 2015, shuma e akorduar ka qenë 5.815.000 lekë (nga të cilat 5.035.000 lekë për trajtimet ushqimore, 660.000 lekë për honorare trajnerësh dhe 120.000 lekë për pagesa gjyqtarësh), po t’u referohemi shifrave të vitit 2016, shihet rritja e këtij fondi në 6.226.000 lekë. Në këtë shumë janë të përfshirë trajtimet ushqimore të ekipit të parë në shumën 3.031.000 lekë, honoratet e trajnerëve 132.000 lekë dhe pagesat e gjyqtarëve 170.000 lekë,totali 3.333.000 lekë. Po ashtu, është financuar ekipi i të rinjve me 516.000 lekë (340.000 lekë trajtime ushqimore dhe 176.000 honorare trajnerësh). Një financim të konsiderueshëm ka patur edhe ekipi i femrave në shifrën 1.946.000 lekë (1.685.000 lekë trajtime ushqimore dhe 264.000 lekë honorare trajnerësh). Bashkia Shkodër dhe SK Vllaznia nuk kanë lënë mbas dore as ekipin e të rejave të basketbollit duke e financuar për vitin 2016 në shumën 428.000 lekë (nga të cilat 340.000 lekë për trajtime ushqimore dhe 88.000 për honorare trajnerësh). Kësisoj, me një përmbledhje të shpejtë rezulton se për vitin aktual në të cilin ndodhemi,  Bashkia Shkodër ka akorduar për sportin e basketbollit në Sportklub Vllaznia një shumë totale prej 6.226.000 lekësh (nga të cilat në total 5.396.000 trajtime ushqimore, 660.000 honorare trajnerësh dhe 170.000 pagesa gjyqtarësh).Rritja me 411.000 lekë në krahasim me një vit më parë kuptohet që duhet patur në konsideratë ngaqë Bashkia Shkodër dhe Sportklub Vllaznia kanë vlerësuar suksesin e arritur nga ekipet e basketbollit dhe perspektivën e këtij sporti.
Bashkia Shkodër është e vetmja Bashki në Shqipëri që financon sportin në përmasa të tilla dhe ndodh kështu pasi ai është një nga elementët e spikatur të këtij qyteti dhe me një histori të pasur e cila duhet çuar më tej.
Përballë këtyre shifrave, ajo që pritet nga financuesi, që janë të gjithë sportdashsit dhe taksapaguesit e Shkodrës, është vazhdimi i punës me profesionalizëm, nga stafet aktuale të këtyre ekipeve dhe sportistët në mënyrë që të na japin rezultate konkrete dhe lojë konkurruese.
Gjatë këtyre viteve shumë dashamirës, kanë mbështetur sportet në Shkodër. Pavërësisht se në kushte të vështira ekonomike në Shkodër dhe Shqipëri, sporti shkodran ka nevojë sërish për mbështetje dhe prandaj, kushdo është i mirëpritur të investojë tek skuadra ezemrës.
Sipas diskutimeve në procesin e hartimit të buxhetit të vitit 2017, Bashkia Shkodër pritet që edhe në vitin e ardhshëm e në vazhdim, të jetë pranë sportit për ta mbështetur financiarisht atë si asnjë Bashki tjetër në vendin tonë,në mënyrë që ekipet dhe sportistët e Vllaznisë të jenë sërish krenaria e këtij qyteti, ashtu siç kanë qenë dhe që besojmë se do të jenë edhe në të ardhmen”
– thuhet në raportin e bërë publik nga Bashkia Shkodër.