Duhej të ishte një sfidë ndryshe por ka rezultuar tjetër gjë. Ndeshja kryesore e kampionatit kombëtar të futbollit të femrave, ajo në mes Vllaznisë dhe Kinostudios, është dominuar totalisht nga vajzat shkodrane që kanë fituar me rezultatin e thellë 5-0, duke treguar edhe njëherë tjetër se nuk do kenë rivale as në këtë kampionat. Në pjesën e parë ka shënuar dy herë Megi Doçi ndërsa në fillimin e pjesës së dytë, golin e tretë për Vllazninë e ka shënuar sulmuesja Ambra Gjergji. Në minutat e tjera, do të ishte sërish Doçi që do të shënonte edhe dy gola të tjera nga pika e bardhë e 11-metërshit dhe përfundimisht 5-0  për skuadrën shkodrane që hedh kështu një hap të sigurtë drejt titullit të katërt kampion rradhazi.

Këtë gjë e pranon edhe trajneri Nikolin Leka në prononcimin e tij për mediat pas ndeshjes. Vllaznia për femra udhëheq me meritë renditjen e kampionatit pas javës së tretë dhe përbërja e saj  sigurisht që është një garanci e madhe për suksese të tjera edhe këtë sezon.

© shkodrasport.com