Superliga e basketbolli të meshkujve ka nisur fazën e tretë, teksa të shtunën janë luajtur ndeshjet e javës së 11-të të kampionatit. Teuta, Besëlidhja e Apolonia e kanë rifilluar me këmbë të mbarë kampionatin.

Skuadra lezhjane regjistroi një tjetër fitore përballë Tiranës në këtë sezon, duke i mundur bardheblutë me rezultatin 81- 72 në “Asllan Rusi”. Një ndeshje që nisi më mirë për kryeqytetasit e Erkand Karajit, të cilët e panë vetën deri në +13 pikë avantazh gjatë periodës së parë, periodë që më pas u mbyll 14-24.

Por më pas ishte Besëlidhja dominuese në parket, për të fituar 28-16 periodën e dytë, duke përmbysur në 42- 40 në pjesën e parë. Çereku i tretë ishte tepër i luftuar, fraksion që mbyllet 20-20, me Besëlidhjen që udhëheq 62-60 pas 30 minutash lojë.

Në gjysmën e dytë të periodës së katërt, të besuarit e Afrim Bilalit krijojnë shkëputjen decizive për ta fituar ndeshjen me +9 pikë avantazh. Me 26 pikë dhe 13 ribaunde edhe një herë tjetër Jordan Robinsin bëri liderin te Besëlidhja. Te Tirana rendimentin më të lartë e kishte Endrit Hysenagolli me 19 pikë e 13 ribaunde.

Pas javes se 11-te te kampionatit, Beselidhja ka arritur te grumbulloje 19 pike (me 8 fitore dhe 3 humbje) duke qene ne kete menyre e pozicionuar ne vendin e katert te renditjes./SHKODRA-SPORT.COM/