E kishte menduar shumë të vështirë përballjen me Teutën por në fakt, Vllaznia e ka patur në dorë fitoren ndaj saj.

Bëhet fjalë për takimin e rradhës të kampionatit kombëtar të basketbollit për meshkuj, e luajtur pasditen e sotme në “Qazim Dervishi”.

Ndonëse kuqeblutë kanë qenë deri në 20 pikë avantazh në dy periodat e para, ata janë mundur në fund me rezultatin 76-84.

Në fakt, është dashur koha shtesë për të përcaktuar fituesin e këtij takimi. Kjo ngaqë koha e rregullt ka përfunduar në barazim 70-70.

Shkodranët e nisën mjaft mirë ndeshjen dhe e dominuan atë në dy periodat e para duke krijuar bindjen se do të fitonin ndonëse përballë kishin një kundërshtar shumë të fortë si Teuta.

Kjo e fundit kishte në rradhët e saj tre basketbollistë të huaj, dy amerikanë dhe një malazezë. Ky i fundit u bë protagonisti kryesor për përmbysjen e shifrave.

Kjo humbje e Vllaznisë në disi në diskutim zënien e vendit të katërt në tabelën e renditjes, vend ky që do ta çontë atë në play-off.
© shkodrasport.com