Ka qenë kapiten i Partizanit dhe i Tiranës, luan në Rumani dhe njeh mirë rivalët e Vllaznisë. Kush më mirë sesa Idi Batha mund të bëjë një analizë të saktë për problemet që kanë hasur skuadrat e kryeqytetit në Europë dhe për shanset që kanë shkodranët që të kualifikohen në fushën e Universitatea Kraiovës. Mesfushori i UTA Arad thotë ekskluzivisht për “Panorama Sport” se më tepër ka mbetur i zhgënjyer nga Tirana për disfatën në Champions sesa nga eliminimi i Partizanit në Ligën e Konferencës. Batha është në një ekip me Erjon Hoxhallarin dhe nuk e kursen batutën për një tjetër ish-kapiten bardheblu: “Është rastësi që jemi sërish të dy në një ekip. Shqiptarëve u ndodh shpesh të bashkohen edhe kur ikin nga vendi i tyre…”
Idi, si shkojnë punët tek UTA Arad?
Mirë, këtu është shumë qetësi me thënë drejtën. Nuk është si në Tiranë… Aty edhe ju gazetarët nuk të lini të biesh në qetësi… (qesh).
Çfarë përshtypje ju la Partizani dhe Tirana në Europë, sepse keni qenë kapiten i të dyja skuadrave?
Nga Tirana jam pak më tepër i zhgënjyer.
Pse?
Sepse prisja më shumë, duke qenë se janë dhe kampionët në fuqi. Gjithsesi, për të qenë i sinqertë nuk u habita për rezultatet e asnjërës prej këtyre dy ekipeve. I ndoqa ndeshjet.
Çfarë i mungoi Tiranës?
Te Tirana nuk pashë atë që i karakterizon më shumë, grintën. E dorëzonin topin shumë shpejt. Ndoshta lojtarëve u mungon eksperienca, por në ndeshje të tilla duhet pak më shumë vendosmëri dhe pak më tepër qetësi.
Po Universitatea Kraiova, kundërshtarja e Vllaznisë, çfarë ekipi është?
Kraiova është shumë ekip i mirë. Në Rumani hyn te klubet e elitës. Bën pjesë te katër skuadrat më të mira. Universitatea Kraiova është ekip me pagesa të mira, ka çdo gjë në rregull. Ka infrastrukturën, të ardhurat, tifozët, të gjitha. Janë vërtetë të fortë.
Çfarë duhet të bëjë Vllaznia që të mund t’ia dalë, pasi barazoi në ndeshjen e parë dhe sa shanse kanë të kualifikohen?
Për mendimin tim, Vllaznia duhet të luajë vetëm për barazim. Duhet të bëjë fiks atë që bëri në Shkodër… Në “Loro Boriçi” u mundua shumë të mbrohej dhe me kundërsulm u përpoq ta godiste Kraiovën. Pikërisht atë duhet të bëjë edhe këtu në Rumani, sepse në momentin që mund të tentojë të luajë hapur kundër tyre, unë mendoj se e ka shumë të vështirë për të arritur rezultatin.