Edi Reja e përdor moshën e tij shpesh për humor, si në Shqipëri, ashtu edhe në Itali, ku i është kërkuar që të japë opinionin e tij rreth situatës së Karlo Ançelotit te Napoli. Reja është shumë i lidhur me napolitanët dhe mbetet një prej këshilltarëve të presidentit De Laurentis për akademinë dhe zhvillimin e skuadrës.
Këtë herë i është kërkuar një koment për vendimet e Ançelotit, sidomos pas pakënaqësisë së tifozëve që e kanë cilësuar një trajner të mbaruar meqë nuk po lufton me Juven e Interin për kreun.
“Në Napoli vraponi gjithmonë shumë. Kam lexuar dhe dëgjuar që Ançeloti është i mbaruar, Çfarë budallallëku, maksimumi Reja mund të jetë i mbaruar në moshën 74-vjeçare, jo Karlo që është ende i ri, ka ende për të dhënë ide të freskëta dhe brilante. Mbi të gjitha ka ende shumë për t’i dhënë skuadrës.
Nëse fillojmë të kritikojmë Ançelotin, atëherë ka mbaruar gjithçka. Karlo ka qenë gjithmonë në majat e futbollit botëror, të mos tallemi. Ai është një nga ata që ka qenë gjithmonë në majë. I ka të gjithë mundësitë dhe do të dalë nga kjo situatë, jam i bindur. Ky është vetëm një moment vështirësie”, tha Reja. /vipsport/