Tashmë, me sa duket nuk ka më asnjë dyshim. Në sezonin e ardhshëm, “Bavaria” nuk do të jetë më sponsori kryesor në fanellën e Vllaznisë. Ata do të largohen plotësisht, sepse marrëveshjes 1-vjeçare në rolin e një sponsori kryesor, i ka ardhur fundi. Këtë gjë e kanë konfirmuar mbrëmjen e djeshme edhe burime të “Shkodra Sport” pranë ish-sponsorit të Vllaznisë, “Bavaria”.

Ndërkohë, menjëherë pas mbylljes së kontratës me Vllazninë, kompania “Bavaria” ka nisur kontaktet me një ekip tjetër të Superiores dhe ndoshta në ditët në vazhdim me shumë gjasa, do të mbyllë marrëveshjen me Tiranën për sezonin e ardhshëm 2022-2023.

Diçka e tillë është konfirmuar edhe nga vetë burime të “Shkodra Sport”, pasi ka pasur disa takime të ndryshme në ditët e fundit. Burime të “Shkodra Sport” kanë mësuar disa detaje, teksa bëhet fjalë për një marrëveshje një-vjeçare për sezonin e ri.

Megjithatë, çdo gjë ngelet për t’u parë akoma, pasi po diskutohen akoma edhe disa detaje të kontratës dhe momentalisht akoma asgjë mes palëve nuk është mbyllur, por që pritet të zgjidhet çdo gjë në ditët në vijim. Kështu, me shumë mundësi sezonin e ardhshëm do të ketë një brand tjetër në fanellën e Tiranës, pikërisht brandin dhe sponsorin që kishte Vllaznia vjet, kompaninë “Bavaria”.

Ndërkohë, duhet thënë se te Vllaznia dy brandet dhe sponsorët kryesore të sezonit të ri, pritet të jenë një biznes i ri, i cili pritet t’i shtohet qytetit të Shkodrës dhe kompania e sigurimeve “Intersig”. Kjo e fundit pritet të jetë në pjesën e mëngës tek fanellat e Vllaznisë, ndërsa sponsori tjetër në pjesën e përparme, ashtu siç ishte “Bavaria” vjet.

Ashtu siç bëri me dije ditën e djeshme edhe “Shkodra Sport”, marrëveshja që pritet të nënshkruajë Vllaznia me sponsorin e ri në sezonin e ardhshëm, me shumë gjasa do të zgjasë një vit, teksa parashikohet që shkodranët të marrin disa të ardhura plus, si edhe disa bonuse të lidhura me paraqitjet sportive.

Megjithatë, për zyrtarizimin e sponsorit të ri tek Vllaznia duhet pritur deri me datë 16-korrik, datë kjo kur pritet të konkretizohet gjithçka mes palëve. Ajo që është e sigurtë është se, “Bavaria” nuk do të jetë më sponsor i Vllaznisë, teksa mund të sponsorizojë tek Tirana vitin që vjen.
Maringlen ZHIVANI