Bayern Munich ka kaluar me lehtësi Hannover në HDI-Arena. Skuadra e Niko Kovac ka bërë një paraqitje bindëse jashtë fushe duke fituar 4-0 ndaj ekipit që aktualisht ndodhet në vend të fundit të renditjes së Bundesliga-s. Me këtë fitore, bavarezët ngjiten në vend të tretë dhe janë gjashtë pikë më pak se kryesuesit e Dortmund, që kanë një ndeshje më pak.

Bayern zhbllokoi rezultatin që pas 62 sekondave. Ishte Joshua Kimmich ai që me një goditje të bukur në hyrje të zonës ka mposhtur portierin Esser. Ky ishte goli më i shpejtë që prej 7 prillit të vitit 2012, kur Mario Gomez shënoi ndaj Augsburg as vetëm 24 sekondave. Në minutën e 29’ erdhi goli i dytë, i përafërt me atë të parin. Këtë herë ishte David Alaba ai që goditi topin me të parën duke e dërguar në trekëndëshin e djathtë.

Pas pushimit ishte Gnabry që vulosi fitoren për bavarezët pas një goli të shënuar me shumë fat brenda zonës. Pas tij, në minutën e 62’, ishte Robert Lewandowski ai që shënoi një gol më se të merituar duke e kthyer në një ditë feste për kampionët në fuqi. Kaq mjaftoi për djemtë e Kovac, që vazhdojnë të përmirësohen nga ndeshja në ndeshje.