Pse Griezmann nuk ka shkuar te Barcelona? Zgjedhje profesionale? Jo, ose të paktën, jo vetëm. Ka gjëra më të rëndësishme se fitoret e trofeve. Si miqësia, për shembull.
Një lidhje që bashkon thellësisht “Djallin e Vogël” dhe Godin. Fati do t’i vërë përballë njëri-tjetrit në një ndeshje që vlen hyrjen mes katër më të mirave të botës. Por asgjë nuk do të mund t’i ndjaë pas 90 ose 120 minutave.
Griezmann, siç ka bërë të ditur “AS”, ka vendosur të qëndrojë tek Atletico Madrid sepse nuk do të ndahet nga Godin. Janë shumë të lidhur, deri në atë pikë sa sulmuesi francez i ka kërkuar qendërmbrojtësit uruguaian të jetë kumbari i vajzës së tij.
Kulmi i një miqësie që ka lindur që në ditët e para të francezit tek Atletico. Madje, edhe më parë. Pasi sulmuesi ka nënshkruar kontratën, Godin është kthyer në një pikë referimi për të.
“Pasi kam nënshkruar, e kam marrë në telefon, më ka folur për klubin dhe më ka shtyrë të bëhem pjesë e filozofisë së Atletico-s; nga ai kam mësuar të luaj me dhe për skuadrën, të mos i braktis kurrë shokët në vështirësi”, ka thënë Griezmann.
Edhe për këtë arsye, çerekfinalja do të ketë një shije të veçantë. “Diego është një mik i madh, jemi bashkë çdo ditë, në dhomat e zhveshjes dhe jashtë fushës, është kumbari i vajzës sime, do të jetë shumë e çuditshme ta kem përballë, por do të jetë një ndeshje e madhe”.
Do të jetë edhe një sfidë e madhe mes Mbappe dhe Cavani. Griezmann ka thënë fjalë të rëndësishme për të dy: “Cavani është sulmuesi më i mirë në qarkullim.
Di të punojë për skuadrën, luan në të gjitha zonat e fushës dhe nuk i duhen më shumë se dy topa për të gjetur golin. Ndërsa, nga Mbappe më befason shpejtësia e tij, ekzekutimi dhe qetësia që ka në ndeshjet e rëndësishme. Duhet t’i krijojmë kushtet e duhura që të zhvillojë lojën e tij”, ka thënë Griezmann.