Barazimi 2-2 i Vllaznisë dje në Rrogozhinë ndaj Erzenit nuk i ka kënaqur jo vetëm tifozët, por as pjestarët e skuadrës shkodrane. Loja e tyre në fakt pati oshilacione dhe ashtu siç mund të ishte fituar, mund edhe të ishte humbur.
Në analizën e kësaj ndeshje, specialisti i futbollit dhe njëkohësisht trajneri i kombëtares U17 Ardi Behari është ndalur tek paraqitja e dobët e lojtarëve të caktuar të Vllaznisë ku veçanërisht është ndalur tek Cheshmedjiev, ashtu siç ka vlerësuar edhe rolin pozitiv që luajtën me aktivizimin e tyre në pjesë të dytë futbollistët Sala e Bruno Gomes, raporton shkodrasport.com.
“Ishte një ndeshje plot me episode, një ndeshje që dhuroi dy perla nga goditjet e dënimit, pa harruar dhe ekzekutimin e mrekullueshëm të Zekës. Vllaznia la për të dëshiruar. Nuk ka asnjë lidhje me atë Vllazninë e ndeshjes ndaj Kukësit. Sidomos në pjesën e parë ishte shumë apatike, me sulme të ngadalta. Ishte një skuadër që nuk jepte garanci në dy fazat e lojës.
Megjithatë, duke përfituar nga ndërrimet teknike dhe lëshimi i lojës se Erzenit pas avantazhit, mori një epërsi territoriale dhe arriti të barazonte, por më tepër si rrjedhojë e presionit sesa e aksioneve të tyre. Kjo Vllazni nuk ka asnjë lidhje me atë të ndeshjes së kaluar, duke përjashtuar Balajn që me këto përformanca do të jetë motorri i Vllaznisë në vijimësi.
Kishte sinjale pozitive edhe të zevendësimet, qoftë Sala apo braziliani Bruno Gomes që tregojnë vlera për të ardhmen e Vllaznisë. Plaga më e madhe e Vllaznisë është mbrojtja. Cheshmedjiev duhet të ndajë mendjen për pozicionin e tij, pasi bëri një përformancë shumë të dobët, duke i rrezikuar Vllaznisë edhe humbjen e ndeshjes. Sidomos te goli i dytë ka një përgjegjësi të madhe.
Vllaznia duhet t’i gëzohet kësaj pike dhe të nxjerrë shumë mësime nga kjo ndeshje. Kishte raste në të dyja portat respektive, por dua të them se këto raste erdhën si reagim ndaj golit të pësuar nga të dyja skuadrat. Gjithashtu, pati shumë gabime në pasime, gjë që prishën ritmin e lojës.
Gjatë pjesës së dytë, në momentin kur Vllaznia po përpiqej të kthente rezultatin, gaboi duke u mbështetur në veprimet individuale të lojtarëve të saj dhe jo në atë që ne jemi mësuar të shikojmë jo më larg se ndeshjen e kaluar, kur në lojë u fut Hakaj, i cili preku fundoren mbi 6-7 herë. Sot pamë që mbrojtësat e krahut të Vllaznisë e kanë kapur fundoren vetëm në minutat shtesë”./SHKODRA-SPORT.COM/