Tjetër paraqitje e mirë e çiklistëve të Vllaznisë. Pasi kanë mbyllur me sukses Rrethin e 73-të Çiklistik të Shqipërisë, duke u renditur në vendin e katërt ndër ekipet shqiptare ndonëse mosha mesatare e ekipit ishte vetëm 15.5 vjeç, ata tashmë janë duke marrë pjesë në Kampionatin Kombëtar.

Ky kampionat ka nisur pasditen e sotme në Tiranë me garën e parë, atë të kronometrit individual dhe çiklistët shkodranë janë paraqitur shumë mirë. Bruno Kola ka arritur të jetë sërish fitues në kategorinë e kadetëve duke përshkruar distancën prej 12.5 km për një kohë prej 16’08”. Ka arritur të renditet i pari dhe të marrë kupën e diplomën përkatëse nga duart e presidentit të KOKSH Viron Bezhani i pranishëm në këtë aktivitet. Ndërkohë, në kategorinë juniorë, i vetëm nga çiklistët e Vllaznisë ka garuar Kledison Cani dhe ai ka bërë një paraqitje shumë të mirë duke zënë vendin e tretë. Kujtojmë këtu se dy vendet e para janë zënë nga dy sportistë shqiptarë të cilët stërviten në Itali dhe për këtë arsye, vendi i tretë i sportistit të Vllaznisë mund të konsiderohet shumë i mirë. Pas përfundimit të garës së sotme janë ndarë edhe çmimet përkatëse ndërkohë që ditën e nesërme do të zhvillohet gara e dytë e kampionatit, ajo e përbashkët dhe po ashtu edhe në të, çiklistët shkodranë do të synojnë vendet e para në kategoritë ku marrin pjesë.

 

© shkodrasport.com