Gjatë ditës së djeshme, klubi i Tiranës ka publikuar disa statistika që sipas bardhebluve janë regjistruar në ndeshjet e fundit dhe stërvitjet e skuadrës. Kështu, Isak Gyamfi kishte regjistruar shpejtësinë maksimale 35,6 km në orë ndaj Apolonisë, ndërsa Jurgen Çelhaka kishte vrapuar 12,2 kilometra.

Statistika mbresëlënëse që krahasohen me ato të niveleve më të larta të futbollit botëror e që kanë ngritur dyshime të mëdha te tifozët që kanë komentuar të shumtë në rrjetet sociale këto rekorde. Një prej atyre që kanë komentuar ishte edhe Skerdi Bejzade, i cili nuk e besonte se këto shifra përshtateshin me realitetin, duke u ndalur fillimisht te rekordi i Çelhakës.

“Në Bundesligë gjermane më i miri është 12,3 km… shumica vrapojnë 10-11 km gjatë 90 minutave, sprinte 900 deri në 1200 metra, ngritje-shpejtësie 50 deri 60 herë dhe ndryshim ritmi çdo 5 sekonda.

Tashti lind pyetja: ky mbase i bën aerobi këto 12 km, se me kampionatin shqiptar sa i kam parë unë disa ndeshje, veç ecin nëpër fushë. Prandaj më seriozë se çfarë shkruani këtu se nuk janë të gjithë si dele që t’ju besesojnë juve”, ishin fjalët e ish-sulmuesit.

Në debat është përfshirë edhe Gentian Nora, ish-drejtori i Luftëtarit dhe duke iu përgjigjur këtij të fundit, Bejzade ka komentuar edhe rekordin e Gyamfi. “A e shef atë tjetrin e kanë nxjerrë më të shpejtë se Mane apo Sterling”, theksonte Bejzade në komentin e tij. /vipsport/