Tirana ka nisur nga puna për afrimet që do të bëhen për Kupat e Europës dhe sezonin e ri. Me titullin kampion në “kasafortë”, drejtuesit e skuadrës bardheblutë po projektojnë skuadrën që do të luajë në eleminatoret e Champions League, por edhe për sezonin e ri.

Pasi bënë “bingo” me Redon Xhixhën që e morën nga Laçi në fillim të sezonit, badheblutë kanë shfaqur interesim për një tjetër lojtar të skuadrës kurbinase.

Bëhet fjalë për portierin Alen Sherri i cili ka humbur vendin e titullarit dhe është portieri i dytë i kësaj skuadre. Shkodrani ishte projektuar si titullar, por pas disa ndeshjeve jo të mira, vendin e tij e mori Dajsinani që bindi nga ndeshja në ndeshje dhe tani është titullar fiks.

Me Visar Bekajn që mund të largohet pasi ka interesë nga shumë skuadra, Tirana mund t’i besojë portën sezonin e ri, portierit Alen Sherri./newsport/