Portieri i Tiranës, Visar Bekaj, në emisionin “Skaner” në MCN TV, u shpreh se bardheblutë kanë bërë diferencën në krahasim me skuadrat e tjera. Ai deklaroi se edhe në një ndeshje ku u dominuan, siç ishte sfida me Vllazninë, përsëri nuk u mposhtën.
I pyetur për të ardhmen, Bekaj u shpreh se ka edhe një vit kontratë dhe klubi do të vendosë për të.
Çdo kampionat i ka vështirësitë e veta, por meritat i ka stafi teknik dhe drejtues, për lojtarët e afruar. Çelësi i suksesit është atmosfera në ekip që solli edhe suksesin. Vetëm Vllaznia na ka dominuar me lojë, por nuk u mposhtëm. Çfarë kemi humbur, e kemi humbur vetë. Kemi ekip shumë të mirë, kur kemi dashur të luajmë, ia kemi dalë të fitojmë. Nuk mund të them se nuk ka pasur konkurrencë, por Tirana e ka bërë diferencën.
Në çdo pozicion jemi mirë. Në shumicën e ndeshjeve, kam pasur pak punë. Tolin e gjen në çdo vend. Sulmi me Xhixhën dhe Seferin ka qenë shumë i fortë. Kemi bërë 2-3 afrime dhe kemi ruajtur boshtin. Çdo lojtar që shënon te Tirana, shkon e feston me Shehin. Jo vetëm që është profesor i mirë, por është edhe pedagog i mirë.
E ardhmja? Unë kam kontratë edhe për një vit. Unë jam maksimumin. Nëse ka ofertë, do flasim me klubin. Nëse ata pranojnë, mund të ndodhë. Gjithçka është në dorën e klubit. Kur isha te Prishtina, mendoja se atje ishte presioni më i madh, por kur erdha këtu, mendova se atje paskam luajtur ndeshje miqësore.