Drejtori sportiv i Vllaznisë, Matko Djarmati, deklaroi se shkodranët do të kërkojnë kualifikimin në Europë që nga kampionati dhe nuk do e lënë për në Kupë këtë objektiv.

Në emisionin “Skaner” në MCN TV, Djarmati duke bërë një krahasim me Tiranën që e menaxhoi shkëputjen në krye, u shpreh se ndoshta ata kanë mësuar nga Vllaznia.

Finalja e Kupës është më 31 maj, në fund të kampionatit, nuk mund të lëmë objektivin Europë për ndeshjen e fundit. Shpresoj që sa më shpejt ta sigurojmë Europën nga kampionati. Për Vllazninë vendi i tretë ose i katërti është objektiv.

Çdo njeri në stafin e Vllaznisë, ka nga një objektiv. Minimali është Kupat e Europës, ndërsa maksimali është titulli. Nëse nuk arrijmë asnjë nga këto objektiva, është dështim. Nëse nuk arrihet objektivi, në kontratë kemi edhe gjobë financiare.

Vjet ka ardhur një Vllazni nga hiçi. Asnjë nuk besonte te ne të gjithë. Në fund u renditëm të dytët dhe morëm Kupën. Në sezonin e ri, 7 skuadra ishin deklaruar për titull. Vetëm Skënderbeu dhe Kastrioti thanë që do jenë për mbijetesë. Jam i bindur se ky ekip është më i mirë se vjet, pro disa rrethana rrugës, nuk shkuan si duhet.  

Ndoshta Tirana ka mësuar nga gabimet e Vllaznisë në sezonin e kaluar. Tirana e ka treguar se është skuadra më e mirë e kampionatit. Ishin shumë kompaktë. Kishin dy super lojtarë në sulm, që kanë zgjidhur shumë ndeshje. Padyshim e kanë merituar titullin.