Orët e fundit në media të ndryshme ka nisur të qarkullojë lajmi se ndeshja Shqipëri- Izrael, e vlefshme për eliminatoret e Kupës së Botës, me shumë të ngjarë do të spostohet nga Shkodra në Elbasan për shkak të gjendjes jo të mirë të fushës së “Loro Boriçit”. Ky lajm i referohej vizitës së djeshme të një delegacioni të Federatës izraelite të cilët kanë parë kushtet e fushës dhe gjëra të tjera që kanë të bëjnë me ndeshjen. Por në fakt, punonjës të stadiumit të cilët dje kanë qenë të pranishëm gjatë vizitës të delegacionit izraelit, bëjnë të ditur se ata nuk kanë shprehur asnjë problem serioz për fushën.
“Nuk e dimë të kenë shfaqur ndonjë problem të tillë. Ata kanë qenë personat e sigurisë të Federatës së Izraelit të cilët vijnë për të parë kushtet e fushës, të stadiumit, të hotelit ku do të akomodohet kombëtarja e tyre etj”- thonë ata. realisht gjendja e fushës duket e mirë pas ndërhyrjes që është bërë në të. Ditën e sotme, punonjësit e fushës kanë qenë duke korrur barin e saj dhe në pamje të jashtme gjithçka duket OK. Drejtuesit e stadiumit nuk kanë asnjë sinjal se ndeshja mund të spostohet në Elbasan. Po ashtu, as ato që shesin biletat e kësaj ndeshje. Në këtë mënyrë, një lajm i tillë duket më tepër një shashkë e hedhur pa ndonjë siguri të madhe në vërtetësinë e tij. Ajo që mund të konfirmojmë është se në Shkodër janë duke u bërë gati që pas Marokut, Maqedonisë dhe Spanjës, të presin më 12 nëntor edhe Izraelin.
© shkodrasport.com