Ka luajtur sot titullar dhe madje ka shënuar edhe gol për skuadrën e tij sulmuesi shkodran Bekim Bala. Ai është preferuar të jetë në fushë nga ana e trajnerit të Spartës së Pragës në takimin e luajtur pasditen e sotme ndaj spanjollëve të Atletiko Bilbaos, në ndeshjen e vlefshme për Ligën e Europës. Ndeshja e luajtur në stadiumin “General Arena” të Pragës është mbyllur me rezultatin 3-1 për Spartën dhe njëri nga protagonistët e këtij suksesi ka qenë edhe Bala. Ai ka shënuar madje golin e dytë të kësaj ndeshje pikërisht në minutën e 41-të. Në pjesën e dytë ka ardhur edhe një gol i tretë për Spartën dhe në fund kanë qenë spanjollët ata që kanë shënuar golin e ngushëllimit në këtë humbje. Në këtë mënyrë, për Balën gjërat duket se po shkojnë mirë ndonëse ai nuk luan titullar në të gjitha ndeshjet e skuadrës së tij edhe për faktin se trajneri në dispozicion ka plot 6 sulmues dhe preferon alternimin e tyre. Megjithatë sulmuesi shkodran e ka justifikuar plotësisht besimin e tij kur ka luajtur duke shënuar deri tani dy gola në ndeshjet e kampionatit çek dhe tashmë edhe një gol në ndeshjet e Europa League.
www.shkodrasport.com