Analizë nga Redan BUSHATI
Qyteti i Vlorës pret këtë fundjavë kryendeshjen e javës së 6-të të Kategorisë Superiore, Flamurtari-Tirana. Kuqezinjtë, pas barazimit në shtëpi me Shkumbinin (1-1) dhe disfatës në Durrës me Teutën (2-1), kërkojnë të bëjnë kthesën. Por a është ky momenti për t’u futur në shinat e luftës për titull kampion a duhet pritur ende? Një gjë është e sigurtë, nëse Flamurtari humbet me 24 herë kampionët e vendit, atëherë “lamtumirë titull”.
Në pesë javë kampionat, vlonjatët kanë 5 pikë, shumë pak për një pretendente për titull, aq më tepër që organika e skuadrës dhe shpenzimet për të janë ku e ku shumë më të larta: futbollistët dhe stafi drejtues i Flamurtarit është ndër më të mirëpaguarit në vend; përveç kësaj, blerjet në merkaton e verës, jo vetëm që kanë “tronditur” opinionin sportiv shqiptar, porse kanë qenë më të bujshmet dhe më të lartat në shifra se të gjithë ekipet e tjera të Superiores. Megjithatë, shembuj të ndryshëm na vërtetojnë se “jo gjithmonë ekipet që shpenzojnë më shumë fitojnë edhe garat”. Nga ana tjetër, Tirana, pas dy barazimeve rresht në kampionat, nuk mund të bëj një tjetër hap f als, sepse do ta largonte, me gjasë, nga Skënderbeu i vendit të parë, i cili në letër ka një ndeshje më të lehtë, ndaj Shkumbinit. Tirana e “Tushes”, edhe pse zhvilloi volum loje në mesjavë, në ndeshjen e kthimit të raundit të parë të Kupës, ndaj Partizanit, sërish ka probleme, pasi vuan nga goli. Nuk është e denjë për një skuadër kampione të shënojë kaq pak. Nëse vlonjatët në këtë përballje vijnë me një ekip të “përgjysmuar” nga dëmtimet e pezullimet, organika e Tiranës është e plotë. Gjithsesi, e rëndësishme, përveç lojës në fushë, është prania e madhe e sportdashësve, e kryesisht grupimet e tifozerive “Flota Kuqezi” dhe “Fanatics”, pasi fundja kjo lojë për to luhet.
Skënderbeu, i cili ndan vendin e parë me Tiranën, me nga 11 pikë, luan përballë “Ujqërve të Dëborës”, të cilët edhe pse, pas barazimit me Tomorin ne Berat, kanë kërkuar “o largimin e teknikut Josa, ose do të bojkotojnë skuadrën”, pritet të jenë në numër të lartë në mbështetje të skuadrës së tyre të zemrës, Skënderbeu. Ekipi i Josës ka nevojë për përkrahjen e tifozerisë, në mënyrë që vendi i parë të mos lëshohet, kurrsesi. Nga ana tjetër, Gugash Magani ka përgatitur gjithçka brenda kësaj jave, me qëllim që të tijtë të realizojnë një qëndresë serioze në Korçë, e pse jo të mos dalin pa pikë. Barazimi në Peqin me Kastriotin ka zhgënjyer pa masë ambientin peqinas. Gjithsesi, fitorja dhe kualifikimi në Kupë ka zgjuar shpresat se ekipi mund të përballojë denjësisht transfertën e juglindjes.
Vllaznia, skuadër që e nisi keq kampionatin, por që arriti, edhe falë gabimeve të kryesuesve, të korrigjojë mjaft, veçmas në javën e fundit, duke u afruar me tre pikë larg dy kryesuesve, Skënderbeu dhe Tirana, pret këtë javë në “Loro Boriçi” bardhezinjtë e Laçit, në gjirin e së cilës bëjnë pjesë edhe shtatë shkodranë, ndër to kapiteni Vucaj. Përpos kësaj, në këtë ndeshje, pas largimit të çuditshëm të Stavri Nicës, kurbinasit vihen nën urdhërat e drejtorit teknik, edhe ky shkodran, Ylber Zani – mjaftueshëm për të pritur një sfidë të fortë, mes “llojit”. Kuqeblutë, pas fitores në Ballsh, e cila shënoi kthesën e shumëpritur, duan të vazhdojnë ndjekjen e rezultateve pozitive, me qëllim arritjen tek objektivat e fillimsezonit. Sakaq, bardhezinjtë, të cilët vijnë nga një humbje në Korçë (3-0) dhe një barazim në shtëpi me Kukësin (1-1), një rezultat tjetër negativ do të krijonte jo pak probleme për vazhdimësinë.
Në Gjirokastër, “Shqiponjat Bluzi” do të kenë mundësi të shikojnë, këtë fundjavë, ekipin e tyre nga shkallët e stadiumit. Luftëtari vjen pas asaj loje të bukur të fituar me rezultat të thellë (3-0) në Fier dhe pas një ndeshje kupe, ku shpartalluan Gramshin (5-0). Skuadra tashmë është e çliruar, e përveç lojës së bukur, po shijon edhe rezultatet. Por kujdes, kësaj jave vijnë kavajasit, të etur për pikë, dhe që kanë zhvilluar në këto javë lojëra të mrekullueshme, ku bien në sy, mes të tjerave, barazimi në “Qemal Stafa” me Tiranën apo edhe fitorja në shtëpi me Teutën, dy kundërshtarë të fortë. “Furia Verdhezi” do të udhëtojë, edhe pse në një rrugëtim të gjatë, për të ndjekur ekipin e tyre, pasi realisht ia vlen, sepse futbollistët e Besës në fushë po demonstrojnë një futboll të bukur.
Përplasje e ashpër edhe në Krujë, mes Kastriotit vendas dhe miqve nga Durrësi. Krutanët vijnë nga një barazim në Peqin, ku me pak kujdes edhe mund të kishin fituar. Ndërkohë, Teuta vjen nga një triumf në fushën e saj kundër Flamurtarit të milionave, të cilin e ka mposhtur me golin e Dostit nga fundi i takimit. Të besuarit e Begejës duan të vazhdojnë serinë e rezultateve pozitive, në mënyrë që t’i bashkohen sa më shpejt kreut. Në krahun tjetër, djemtë e Mërgjyshit nuk mund të kalohen lehtë në “fortesën” e tyre, pasi aty shumë “ushtri” kanë thyer kokën.
Më në fund, kush ka dëshirë të shikojë debutuesit verilindor nga afër, portat e stadiumit janë hapur. Drejtuesit e Kukësit kanë bërë me dije se “që këtë javë sportdashësit mund të rikthehen në stadium, pas dënimit të fushës”. Kështu, të besuarit e Cungut kanë një motiv më shumë për të mos “vjelur” sërish barazime. Kualifikimi për në turin e dytë të Kupës së Shqipërisë ka rritur optimizmin dhe energjitë pozitive brenda skuadrës kuksiane. Ndërkohë, pas atij barazimi me shumë vlera në Berat ndaj Skënderbeut, duket se është rikthyer Tomori. Gjithsesi, edhe pse pritet të jetë një ndeshje e hapur, verilindorët janë më të favorizuar për të fituar këtë sfidë.
Ndeshja tjetër e kësaj jave të 6-të është ajo që luhet në Fier, mes Apolonisë dhe Bylisit. Javën e shkuar, djemtë e Ernest Gjokës gabuan fatalisht ndaj Luftëtarit, duke mos arritur në asnjë moment të tregonin asgjë nga kapacitetet e tyre. Kësaj jave pritet kthesa e bardhejeshilve, përndryshe fundi i tabelës do të jetë i tyre. Ndeshja bëhet edhe më kritike, kur mendon se ballshiotët vuajnë për pikë. Pas dy ndeshjeve të mira, si me Flamurtarin në javën e parë, ashtu edhe me Skënderbeun në javën e tretë, ku mallakastriotët kanë marrë në secilin takim nga një pikë, ndeshjet e tjera kanë qenë katastrofale për lojtarët e Canajt: në pesë javë, Bylisi ka grumbulluar 2 pikë. Një humbje tjetër, jo vetëm që rëndon pozitat, pasi kjo është fare e dukshme, por gjobat, pezullimet e deri shkarkimet pritet të ndjekin ekipin mallakastriot.
Si përfundim, edhe kjo javë e 6-të e Superligës Shqiptare është më se interesante, pasi ndeshja në Vlorë është përcaktuese e fatit të Flamurtarit në këtë kampionat, po ashtu edhe në ndeshjet e tjera pritet të ketë, pse jo, “surpriza” dhe përballje të forta, vërtet për t’u shijuar.