3 javë nga fundi i sezonit të rregullt, ka edhe një front ku lufta edhe pse vazhdon e fortë, duket i vështirë për tu përmbysur. Bëhet fjalë për Këpucën e Artë të kampionatit, kryegolashënuesin e 36 javëve ku favoriti absolut është Bekim Balaj.

Sulmuesi i Vllaznisë 3 ndeshje para fundit, është në kuotën e 17 finalizimeve, dhe ndër ndjekësit e tij më të afërt, edhe pse rreziku nuk mungon, duket e vështirë ose më saktë do të duhej një mrekulli për ti marrë kryesimin e klasifikimit virtual.

Menjëherë pas shkodranit në listë qëndron Kristal Abazaj, me futbollistin bardheblu që ndodhet në kuotën e 10 golave sezonal, dhe në 3 javë të mbetura duket e vështirë për të mos thënë e pamundur që të ketë një përmbysje, të paktën duke i besuar dhe progresionit të mesatares të shënimit në këtë kampionat, me Abazajn që i duhet që në 3 takime të shënojë më shumë se 7 gola, dhe në të njëjtën kohë që Balaj të ndalet për të marrë këtë kryesim.#

Vlen të kujtohet se të dy lojtarët janë dhe ata që kanë shënuar më shumë gola me penallti në këtë kampionat, ku kryeson Balaj që nga 17 finalizime plot 9 i ka shënuar nga dueli i 11 metrave, teksa Abazaj ka shënuar 4 gola me penallti. Në zonën e sipërme të kreut të klasifikimit të golashënuesve spikasin shumë emra që nuk janë më pjesë e kampionatit, si Florent Hasani apo Franklin Anhanou i Skënderbeut, tashmë të larguar në merkato apo dhe i ndjeri Dwamena, ndërkohë që një rendimet të kënaqshëm falë të cilit mund ti hedhin një sy kësaj gare janë Bintsouka i Partizanit dhe Kacorri i Dinamos, të dy në kuotën e 9 finalizimeve.