Bekim Balaj nuk ka dyshime se penalltia që u dha në ndeshjen e sotme ndaj Partizanit, ku ai shënoi golin e radhës në kampionat, ishte e dukshme dhe nuk kishte vend për polemika. Pas sfidës ai tha se pavarësisht dëshirës së mirë për të marrë tre pikët, edhe një barazim ishte i mirë ndaj një skuadre si Partizanit.

“Të them të drejtën vinim pas një seri fitoresh, dëshira ishte e madhe të fitonim, aq më tepër me “Loro Boriçin” të mbushur si asnjëherë këtë sezon. U munduam të bëjmë maksimumin, por nuk e arritëm. Kemi shumë për të bërë, nuk jemi të kënaqur asnjëri me këtë ndeshje, por mos harrojmë që përballë kishim Partizanin që na e bëri shumë të vështirë ndeshjen.

Kur luan kundër një kundërshtari si Partizani, duhet të mendosh edhe për mbrojtjen, të jesh racional në sulm. Por me lojtarët që ka Partizani, nuk duhet të lësh hapësira. Deri diku e bëmë mirë, kishim rastet tona, po t’i shfrytëzonim mund të ishte rezultat tjetër.

Kur ke përballë Partizanin, edhe barazimi është… Por dëshira ishte e madhe se kishim një seri fitoresh, ishim në anën psikologjike më të mirë, një fitore do e mbyllte bukur. Por një pikë me Partizanin është me një kundërshtar direkt për katërshen apo edhe për vendin e dytë. Vëmendja tani është te Laçi që është ndeshja e radhës.

A kishte kontakt te penalltia? Sigurisht, kishte mbajtje nga fanella, ishte e dukshme. Kush e fiton titullin? Vllaznia…”, tha Balaj për “MCN” pas sfidës.