Pavarësisht humbjes shumë të thellë ndaj ekipit maqedonas Kuzov, basketbollistët e Vllaznisë kanë marrë shumë duartrokitje nga tifozët e shumtë shkodranë që kanë qenë të pranishëm mbrëmjen e së martës në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Kuptohet që ata kanë qenë të vetëdijshëm për nivelin e ekipit të tyre dhe po ashtu edhe për atë të ekipit maqedonas i cili jo më kot kryeson grupin e Ligës Ballkanike. Njëri nga lojtarët e Vllaznisë, pikërisht Damjan Bekteshi, në një prononcim për mediat pas ndeshjes sigurisht që ka kërkuar falje për paraqitjen jo të mirë të këtij ekipi në këtë ndeshje e njëkohësisht ka evidentuar edhe vlerat e kundërshtarit.

Ndeshja e rradhës për ekipin shkodran do të jetë ajo që do të luajë sërish në Shkodër me ekipin Sigal Prishtina më 9 dhjetor. Kjo do jetë ndeshja e fundit që do të luajnë në “Qazim Dervishi” pasi më pas do ketë edhe tre ndeshje në transfertë, pikërisht në Mal të Zi, Rumani dhe Maqedoni për ta mbyllur kësisoj këtë aventurë të parë në këtë kompeticion ndërkombëtar.

© shkodrasport.com