✍️ Shkruar nga Gjergj KOLA
Sulmuesi shkodran Belajdi Pusi ka shënuar sot një tjetër gol në ligën e parë ruse, duke e ndihmuar skuadrën e tij Fakel të marrë një tjetër fitore dhe njëkohësisht që ajo të vazhdojë të kryesojë e vetme renditjen dhe duke qenë kandidatja kryesore për ngjitjen në Superligë.
Fakel ka luajtur sot në transfertë ndaj UFA dhe ka fituar me rezultatin e thellë 4-0. Sa i takon Pusit, ai ka shënuar golin e dytë në këtë fitore. Ka qenë minuta e 31-të kur Fakel ka fituar të drejtën e 11-metërshi dhe nga pika e bardhë do të gjuante sulmuesi 27 vjeçar nga Shqipëria.
Ai është treguar i saktë duke e dërguar topin në rrjetë. Për Pusin ky ishte goli i tij i 12-të dhe me këtë numër golash kryeson i vetëm renditjen e golashënuesve më të mirë të këtij kampionati, duke patur dy gola më shumë sesa Karaev që ndodhet në vendin e dytë.
Belajdi Pusi kësisoj duket se po kalon ndoshta momentet më të mira të karrierës së tij sportive, por ai nuk ka ndër mend të ndalet këtu, por të vazhdojë të shënojë dhe të ndihmojë skuadrën e tij të arrijë objektivin.







