Kritika, mendime se duhet të japë dorëheqjen por nga ana tjetër ka edhe specialistë që mendojnë se Mirsad Jonuz jo vetëm duhet ta mbyllë sezonin tek Vllaznia, por atij duhet t’i besohet ndërtimi i skuadrës edhe për sezonin e ardhshëm.

I këtij mendimi është shprehur ish- mesfushori i Vllaznisë Amarildo Belisha. Ai edhe kohë më parë e ka cilësuar Jonuz “blerjen më të mirë të këtij sezoni” dhe vijon të thotë sërish kështu. Një deklaratë të tillë ai e ka bërë gjatë emisionit “Sport Arena” të drejtuar nga moderatori Gjergj Kola në ekranin e TV Rozafa kur është shprehur:

“Mendoj se Jonuz është trajneri i duhur për ekipin tonë, pavarësisht se edhe ai nga sa shoh unë, ka ardhur duke e ulur stekën e tij. Në fillim ka qenë më entuziat, ka synuar të luajë më përpara me skuadrën, është munduar të bëjë një lojë më sulmuese.

Por tani, duket se ka ardhur një moment që kanë filluar të bëhen edhe llogaritë, presioni vjen duke u shtuar. Marr këtu rastin që pas humbjes me Skënderbeun, ekipi shkoi në Elbasan për të luajtur me Kukësin me një presion të madh psikologjik por ia doli të karikojë lojtarët dhe morën një rezultat pozitiv.

Kuptohet që pas një humbje është normale që të ketë kritika ndaj trajnerit apo lojtarëve. Kur kemi qenë sportistë edhe në nuk na kanë pëlqyer kritikat, por ato duhen pranuar. Secili duhet të dalë mbi ato kritika, mbi atë presion, për të nxjerrë shpirtin luftarak.

Shoh që ka një bashkëpunim të mirë në skuadër, nuk shoh se ka një grup të përçarë, nuk shoh se ka qejfmbetje ndërmjet njëri- tjetrit, si drejtuesit me lojtarët ashtu edhe lojtarët me njëri-tjetrin. Pra mendoj se është një klimë e mirë por niveli në fakt lë për të dëshiruar.

E kam thënë pak kohë më parë dhe po e përsëris sërish: E kam konsideruar blerjen më të mirë të Vllaznisë dhe vazhdoj t’i përmbahem kësaj thënie edhe sot e kësaj dite. E konsideroj gjetjen e duhur për të drejtuar këtë skuadër sepse e shoh se është një njeri serioz, ndonëse në ndonjë moment nuk më ka pëlqyer me disa deklarata pas ndeshjes me Skënderbeun në aspektin e trajningut.

Unë e kuptoj sepse kam qenë vetë në atë pozicion dhe e di çfarë do të thotë të stërvitesh në ditë me shi dhe janë vështirësi reale, por trajneri nuk duhet të shkarkohet përgjegjësia tek tema dytësore.

Unë do të isha i mendimit që Jonuz të ishte në krye të Vllaznisë edhe sezonin tjetër sepse tashmë e njeh mirë skuadrën dhe për sezonin e ri thjesht do të heqë pjesët e këqija. Kush ka dështu, x lojtar, 2, 3, 4 apo 5 lojtarë, ndërrohen këto ndërkohë që baza qëndron. Merr edhe disa të tjerë cilësorë dhe bën një ekip më të fortë”
© shkodrasport.com