Vllaznia po jep sinjale kthese, por ende nuk është aty ku duhet. Rreziku vazhdon ta shoqërojë, ndaj vetëm një fitore në Krujë mund të shtonte shpresat e shkodranëve. Të këtij mendimi janë edhe dy “ish”-ë, pikërisht Safet Osja dhe Ilir Dibra. Dy emra që kanë fituar jo pak me këtë fanellë, jo vetëm kampionatin, por edhe kupa e Superkupa. Ata i bëjnë një analizë të detajuar ekipit kuqeblu, duke filluar nga ndeshja e fundit, për të kaluar tek objektivi. Besojnë te mbijetesa, por nga ana tjetër vënë në dukje se Vllaznia ka lënë shumë pikë brenda në shtëpi, ndaj rikuperimi i tyre duhet të nisë që nga ndeshja me Kastriotin.

Osja – Safet Osja, ish-futbollist i Vllaznisë, me të cilën ka dalë kampion dhe ka fituar Kupën e Shqipërisë dhe Superkupën, beson se kuqeblutë do i kalojnë vështirësitë dhe nuk do rrezikojnë rënien. “Më vjen keq që ekipi ndodhet në këtë situatë. Starti i kampionatit ishte ndër më të mirët, por për shkak të luhatjeve skuadra aktualisht lundron në ujëra të turbullta në renditje. Gjendja është kritike dhe duhet pranuar. Janë lënë shumë pikë në shtëpi kryesisht, gjë që e dëmton Vllazninë. Nëse duhet të mbijetojmë në Superligë, nuk duhet gabuar më në ‘Loro Boriçi’. Takimi me Teutën nuk duhet mbyllur me atë rezultat. Ekipi shpërdoroi shumë dhe kjo ndikoi jo pak në rezultatin përfundimtar. Me këtë grup nuk duhet të renditeshim në vend të 9-të. Vllaznisë i duhet shumë për t’u bërë ballë kundërshtarëve dhe situatave që mund të krijohen. Megjithatë unë mund të them se shpresa vdes e fundit. Kam besim se situata do të ndryshojë. Lojtarët duhet të sakrifikojnë në maksimum për ta evituar rënien”, – ka thënë ish-mesfushori, sot drejtor sportiv në akademinë “Albania Ajax School”.
Dibra – Për ish-mbrojtësin shtatlartë, Ilir Dibra, kampion në vitin e largët 1998 me Vllazninë dhe fitues i Superkupës në vitin 2002 po me këtë skuadër, situata mund të vështirësohet. Madje, këtë javë me Kastriotin nuk fitohet. Megjithatë, ashtu si edhe Osja, ai beson te mbijetesa. “Situata natyrisht që nuk është e mirë. Humbja e pikëve brenda është diçka negative. Me Teutën, për të qenë të sinqertë, nuk e meritonim një barazim të tillë. Ekipi po krijon shumë raste, mirëpo ka vështirësi që të gjejë rrugën e rrjetës. Kjo u vu re edhe në takimin me Teutën. Kalimi i javëve dhe lënia e pikëve në shtëpi e vështirëson më shumë situatën e Vllaznisë. Takimi i radhës me Kastriotin është një tjetër finale për kuqeblutë. Por në këtë takim ata nuk e kanë të lehtë për vetë pozitat në të cilat ndodhen krutanët. Sidoqoftë, në një kampionat pa diferenca, të gjitha skuadrat rrezikojnë. Problemet po shtohen në fakt, pasi ekipet e tjera janë duke fituar, ndryshe nga shkodranët. Megjithatë unë kam besim se Vllaznia do të jetë pjesë e Superligës në fund të këtij sezoni”, – përfundoi Dibra.
Admir URUÇI