Tre boksierë të Vllaznisë do jenë pjesë e kombëtares shqiptare që do të marrë pjesë në Kupën “Pavarësia” që do të zhvillohet në Prishtinë. Ky aktivitet, organizohet më 16 shkurt në kryeqytetin e Kosovës, me rastin e 6 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së këtij shteti. Në të do të marrin pjesë boksierët më të mirë të Kosovës, kombëtarja e Shqipërisë si dhe disa boksierë nga vendet fqinje. Në këtë kupë ndeshjet do të zhvillohen brenda një dite të vetme dhe prandaj pritet të ketë shumë ballafaqime interesante në ring.


Kombëtarja e Shqipërisë do të marrë pjesë në Kupën “Pavarësia” me katër boksierë dhe pikërisht me Ronildo Piranejn, që do konkurrojë në peshën 60 kilogramë, Kristian Shytanin që do konkurrojë në peshën 69 kilogramë dhe Syrjan Marinajn në peshën 81 kilogramë. Përveç tyre, do të jetë edhe boksieri i Tiranës Alban Barmeta që do konkurrojë në peshën 75 kilogramë. Ata do të drejtohen si zakonisht nga trajneri i kombëtares, i mirënjohuri Zef Gjoni. Sipas këtij të fundit, objektivi i kombëtares shqiptare në kupën “Pavarësia” do të jetë për katër vende të para megjithëse rivaliteti në disa pesha ka për të qenë shumë i fortë megjithatë ai ka shumë besim tek forma sportive e boksierëve tanë dhe veçanërisht atyre shkodranë.
Gjergj KOLA