Vllaznia është duke u bërë gati për ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, atë që do të luajë ndaj Flamurtarit të mërkurën në orën 14.00 në stadiumin “Loro Boriçi”. Në kampin shkodran ka optimizëm për një rezultat të mirë që do ta çonte këtë skuadër në gjysmëfinale të këtij kompeticioni. Pavarësisht barazimit të fundit në kampionat me Teutën, në rradhët e tifozërisë apo dhe të specialistëve ka besim se skuadra mund të ndryshojë dhe të arrijë një rezultat pozitiv. Kuqeblutë kanë zhvilluar mesditën e sotme seancën e fundit stërvitore. Në të ka marrë pjesë edhe drejtori sportiv Armir Grima. Siç bëhet e ditur, ai I ka kërkuar përqendrim maksimal futbollistëve për çdo ndeshje të mbetur. Pas tij, ka folur edhe trajneri Agim Canaj. Ajo që ka rënë në sy në këtë seancë, ka qenë prania e mbrojtësit Elvin Beqiri. Futbollisti I njohur, ka mbyllur të gjitha problemet që ka patur me klubin dhe tashmë do jetë I gatshëm për stafin drejtues duke filluar që nga ndeshja e nesërme me Flamurtarin. Vllaznia duket e përgatitur për ta kaluar me sukses ndeshjen me vlonjatët duke bërë kështu që të shtohen planet për kalimin në turin gjysmëfinal dhe pse jo edhe më shumë. Megjithatë ka pak probleme sa I takon dëmtimit të disa futbollistëve teksa Shtubina ende nuk dihet nëse do luajë dhe po ashtu edhe Vukçeviç, Marku e ndonjë tjetër. Por këto probleme pritet të mos ndikojnë në paraqitjen e skuadrës në fushën e lojës. Në këtë takim me Flamurtarin, një mbështetje e madhe për Vllazninë pritet të jetë edhe mbështetja e tifozëve të cilët në këtë ndeshje pritet të jenë më të shumtë në numër se në takimet e tjera.

© shkodrasport.com