Xhud Bellingam ishte heroi i së dielës mbrëma për tifozët e Realit të Madridit, teksa shënoi golin në minutat shtesë, që i dha skuadrës së Ançelotit fitoren në “El Clasico”. Pas ndeshjes, anglezi foli për “Real Madrid TV”, duke komentuar suksesin ndaj Barcelonës. Dy klasike në La Liga kundër Barcelonës dhe në të dyja ka qenë anglezi që ka sigluar suksesin e Madridit, në të dy rastet me përmbysje.

FITORJA NË “EL CLASICO” – “Ishte një fitore brilante edhe një herë, ishte më vonë se sa prisnim, por ishte një ndeshje dhe një sukses i shkëlqyer. Barcelona ka luajtur shumë mirë dhe ne po ashtu. Ajo që mungonte ishte prekja e fundit dhe ne ia arritëm.” SKUADRA – “Ne të gjithë ishim të shkëlqyer dhe bëmë një punë të shkëlqyer. Nuk është e lehtë të luash 120 minuta gjatë javës për më shumë kundër një ekipi si Mançester Siti dhe pas atij stërmundimi të luash dhe 90 minuta të tjera me intensitet si ky ndaj Barçës. Shokët e mi ishin fantastikë dhe e gjithë merita u shkon atyre.”

UNITETI NË EKIP – “Kur je në gjendje të luash me atë mentalitet kundër dy skuadrave kryesore dhe t’i mundësh të dyja në një mënyrë të tillë siç e bëmë ne, mund të shohësh unitetin dhe mentalitetin e këtij grupi. Duhet ta mbajmë atë deri në fund të sezonit”.

MOMENTI I GOLIT – “Goli u ndërtua shumë mirë në krahun e djathtë. Lukas Vaskez zhvilloi një ndeshje të pabesueshme dhe krosimi i tij ishte i shkëlqyer. Nuk kam qenë aq me fat para portës në ndeshjet e fundit, por ndoshta kisha pritur ndeshjen e duhur. Në fakt ishte një krosim i shkëlqyer dhe nuk më mbetej veçse ta shtyja topin në rrjetë. Ishte një punë e shkëlqyer nga shokët e mi të skuadrës që më bënë të shënoja”

RRUGA DREJT TITULLIT – “Ky ishte një hap tjetër i rëndësishëm drejt objektivit tonë. Nuk e kemi fituar ende dhe na kanë mbetur edhe gjashtë ndeshje për të vazhduar luftën dhe për të shtuar pikë që na afrojnë me qëllimin. Por pas këtij suksesi ndaj Barcelonës rruga është e shtruar, vetëm na mbetet ta kompletojmë atë sa më parë”.

“EL CLASICO” NË “BERNABEU” – “‘El Clasico’ është ndeshja më e rëndësishme në futbollin botëror. Të gjithë ata që e shikojnë presin një ndeshje me cilësi dhe intensitet maksimal. Dhe kjo është ajo që kemi pasur edhe këtë herë. Tifozët tanë ishin të jashtëzakonshëm, duke e çuar lojën në një nivel tjetër dhe me çatinë e mbyllur patëm një eksperiencë spektakolare. Është gjithmonë e mrekullueshme të luash në një ‘El Clasico’ dhe akoma më mirë ta fitosh atë. Deri më tani fati më ka buzëqeshur sa i përket takimeve kundër Barcelonës. Kam fituar të tria Klasiket zyrtare që kemi luajtur dhe është vërtet një ndjesi e mrekullueshme”.