Milani eshte fituesi i çerekfinales se pare te Champions League pasi mposhti Napolin në shtëpi. Në derbin italian që përfundoi me rezultatin 1-0, mjaftoi një gol i Ismael Bennacer për t’i dhënë triumfin kuqezinjve.

Në “San Siro”, Napoli e nis mirë ndeshjen dhe ka menjëherë dy shanse të mira, fillimisht me Kvaratskhelia e më pas me Zielinski. Megjithatë, të dyja rastet nuk shfrytëzohen si duhet. Nga ana tjetër Milani kundërpërgjigjet me Leaon që i shkon shumë pranë golit, por goditja e tij “qeth” shtyllën.

Në minutën e 40-të vjen edhe avantazhi i kuqezinjve. Një goditje potente e Bennacer mposht Meret duke ngritur peshë “San Siron”. Në fundin e pjesës së parë Kjaer ka shansin të dyfishojë shifrat, por goditja e tij me kokë ndalet nga tranversa.

Në pjesën e dytë, Napoli kërkon të ndryshojë fatet e këtij takimi. Megjithatë lëvizje e shumta në sulmin e Napolit nuk e shqetësojnë Milanin seriozisht që është i vendosur mirë mbrapa. Gjithçka vështirësohet edhe më shumë për Napoletanët pasi Anguissa ndëshkohet me karton të kuq. Nga ana tjetër duket më e lehtë për Milanin, por rastet e pastra mungojnë.

Maignan bëhet hero për Milanin në fundin e takimit me një pritje fantastike ndaj Di Lorenzos. Në fund shifrat nuk ndryshojnë dhe Milani hedh një hap të rëndësishëm drejt gjysmëfinales, edhe pse gjithçka mbetet e hapur për sfidën e kthimit.