Askush te Reali i Madridit nuk e priste me më shumë padurim zbarkimin e Kilië Mbapesë se Karim Benzema. Që nga kthimi i tyre në ekipin kombëtar, të dy nuk kanë ndalur së kërkuari njëri-tjetrin brenda e jashtë fushe duke lënë të kuptohet se lidhja e tyre personale mund të shtrihet edhe në rang klubi.

Kjo të paktën është ajo që ka konfirmuar sulmuesi madrilen i cili në një deklaratë për mediat tha: “Mbape është futbollist profesionist dhe një ditë ose një tjetër do të luajë për Realin e Madridit. Ne shkojmë shumë mirë dhe do të doja që ai të ishte me mua tashmë në Madrid. Por, ai gjithashtu duhet të respektojë klubin e tij.” Sinjale dashurie, të cila lënë vend për optimizëm.

Transferimi i shumëpritur do të ndodhë, aq më tepër që ylli i PSG-së është në skadencë kontrate dhe ka refuzuar çdo ofertë rinovimi.

“Nuk e di se çfarë do të ndodhë, por Mbape do të ishte i mirëpritur në ekipin tonë. Ai është një lojtar që ka të gjitha cilësitë për të qenë një lojtar i Madridit në të ardhmen, ndaj shpresoj që të jetë kështu”, përfundoi deklaratën e tij Karim Benzema.

KAMAVINGA – Dje ka qenë edhe dita e prezantimit të Edoardo Kamavingës, 18- vjeçari që mbylli fushatën e përforcimeve të “Los Blancos”. Nga transferimi tek objektiva, mesfushori ka analizuar shumë aspekte të aventurës së tij të re.

“Skuadra nuk është më e keqe se vitin e kaluar. Largimet e Ramos dhe Varanes janë të dukshme, por Alaba ofron garanci sepse është një lojtar i klasit të parë. Në ekip ka shumë kampionë, si Kros apo Bale e një trajner i madh si Ançeloti, ndaj mezi pres të luaj krah të gjithë këtyre kampionëve”, shpjegoi Kamavinga.

Ai mendon se ka ardhur në momentin e duhur në skuadrën e duhur dhe nuk i druhet konkurrencës së rivalëve. Për djaloshin e ardhur nga Reni, ky sezon është i duhuri për “Los Blancos” që të synojnë rikthimin në nivelet më të larta.

“Për mua, Reali i Madridit është skuadra më e mirë në Spanjë, madje jemi edhe më mirë se Atletiko. Fusha do të thotë fjalën e fundit, megjithatë mendoj se jemi në kushte ideale për të synuar titullin dhe trofetë e tjerë.

Mbase do të kemi pak më tepër konkurrencë në Europë sepse PSG-ja, Siti dhe Bajerni kanë ndërtuar skuadra optimale, por në Spanjë jemi ne favoritët”, përfundoi prezantimin e tij madrileni më i ri nën urdhrat e Ançelotit.