Ish- futbollisti i njohur i Vllaznisë Elvin Beqiri është rikthyer të flasë për kampionatin shqiptar dhe skuadrën shkodrane të cilën e konsideron favorite për titullin kampion. Ai ka analizuar me hollësi situatën e skuadrave dhe po ashtu ka bërë të ditur se kampionati i sivjetëm është më interesanti i viteve të fundit.

“Mendoj se kampionati i sivjetëm është ndër më të bukurit e viteve të fundit sepse janë shumë skuadra që pretendojnë për të dalë kampione apo për të qenë në zonën e Kupave të Europës. Ka një garë të fortë edhe për pjesën tjetër të skuadrave që luftojnë për të mos rënë nga kategoria.

Kjo konkurrencë e madhe do të shtohet akoma edhe më tepër në gjysmën e dytë të kampionatit, duke e bërë garën edhe më të bukur”- ka thënë fillimisht Beqiri.

Ai është ndalur të flasë edhe për ecurinë e deritanishme të Vllaznisë, por edhe për atë se çfarë e pret në të ardhmen dhe për këtë është shprehur:

“Si çdo skuadër edhe Vllaznia do ta kishte këtë ngërç gjatë kampionatit, kjo edhe nga fakti se tashmë kundërshtarët e përgatisin ndryshe ndeshjen kundër saj. Në tri ndeshjet e fundit ekipi ka pasur paqartësi në fazën sulmuese, përjashto pjesën e parë me Partizanin.

Gjithashtu në ndeshjen ndaj Laçit ka patur probleme në fazën mbrojtëse. Mendoj se nga lodhja e disa titullarëve dhe mungesa e rendimentit nga lojtarët e stolit, ka sjellë edhe këto rezultate. Në garën për titullin janë disa skuadra dhe kjo do ta bëjë interesant kampionatin deri në fund.

Sa për Vllazninë mendoj që nuk do të ketë asnjë lloj presioni. Gjykoj kështu sepse presionin do ta kenë ekipet që kanë hyrë që në fillim të kampionatit me objektivin e qartë për të dalë kampion. Kjo e favorizon Vllazninë.

Kjo e fundit duhet t’u japë pak kohë edhe lojtarëve të ardhur nga merkatoja sepse disa prej tyre nuk janë akoma gati në aspektin fizik. Shpresoj që ata të jenë të vlefshëm për ekipin. Kjo sepse gara do të jetë e fortë dhe Vllaznia do të ketë rivalitetin jo vetëm të Partizanit e Laçit, por edhe të Teutës, Kukësit e Tiranës.

Vllaznia megjithatë është me fat që janë disa ekipe rivale sepse përveçse me të, ata do të përballen edhe me njëri- tjetrin dhe distancën e pikëve që ka skuadra shkodrane, do të përfitojë edhe më shumë”./SHKODRA-SPORT.COM/