Tërbuni i Pukës ka pasur një ecuri shumë të mirë në Kategorinë e Parë këtë sezon. Nën drejtimin e Elvin Beqirit, pukjanët janë për momentin në vendin e 4-ët të renditjes. Për këtë ecuri kaq pozitive ka folur vetë ish-mbrojtësi i cili nuk harron as Vllazninë në komentet e tij.
Beqiri u shpreh: “Ekipi jonë (Tërbuni) ka pasur një sezon shumë pozitiv deri më tani. Edhe në ndeshjen e fundit kundër kryesuesve të Bylisit zhvilluam një futboll shumë të mirë ku mund të merrnim 3 pikë, sidomos në pjesën e parë.
Skuadra e ka pasur pak problem finalizimin sepse realisht prodhon shumë gjatë lojës. Patjetër që ne duam të qëndrojmë sa më lart në renditje, por ky është një projekt i filluar këtë sezon dhe do i marrim gjërat një e nga një.
Ndeshja e rradhës do jetë në transfertë kundër Turbinës. Një takim ku shkojmë patjetër për të marrë 3 pikë sepse i dimë cilësitë e ekipit tonë.
Vllaznia? Skuadra ka pasur një rritje në ndeshjet e fundit dhe kjo shihet në rezultatet që ka arritur. Mund të merrnin më shumë me Teutën, por për mënyrën si shkoi ndeshja, barazimi ishte ndoshta një rezultat i kënaqshëm. Them se në dy ndeshjet e rradhës kundër Partizanit dhe Skënderbeut, Vllaznia do marrë pikët e plota”.
Endri ÇINARI