Ndeshja e të martës në darkë mes Mançester Siti dhe Bajern Mynih është mbyllur me fitoren e anglezëve. Sikur të mos mjaftonin talljet dhe thumbimet e rivalëve, tifozët e bavarezëve kanë mbetur të shtangur kur në komentin “live” të ndeshjes në faqen e UEFA-s, është shfaqur një postim tallës.

“Një peni për mendimet e Julian Nagelsman në këto momente”, shkruhej në komentin e faqes së UEFA-s, pak çaste para se Siti të shënonte golin e dytë.

Postimi i referohej situatës së bavarezëve që kishin ndryshuar trajnerin vetëm dy javë më parë duke shpresuar te kthesa me Tuhel, por qartësisht nuk kanë zgjidhur problemet e tyre.

Postimi në fjalë është shpërndarë me shpejtësi në rrjetet sociale dhe ka sjellë edhe reagimin e UEFA-s. Ajo ka bërë të ditur se personi i cili kishte bërë postimin, një gazetar i punësuar me kohë të pjesshme për komente live, ishte shkarkuar nga puna. “UEFA i ka kërkuar falje në mënyrë private Bajern Mynih”, sqaronte organizata ndërkombëtare për situatën e krijuar.