Skënderbeu është drejt finalizimit të formatimit të ekipit për sezonin e ri. Pak e nga pak skuadra e projektuar nga presidenti Ardjan Takaj po merr formën e plotë. Në skuadër kanë mbetur vetëm elementët nga sezoni i shkuar te të cilët Memelli beson për sezonin e ri, por mund të ketë edhe largime të tjera, siç është rasti i Elvi Berishës.

Sulmuesi bardhekuq duket se prej kohësh ka qenë si “i vetëm në shtëpi” dhe vijonte përgatitjet veçmas grupit, kjo edhe për shkak të kalimit të COVID-it. Por prej tri ditësh lojtari nuk është më pjesë e kontigjentit të drejtuar nga trajneri Memelli. Berisha pas qëndrimit për disa javë në Korçë duket se ka gjetur gjuhën e përbashkët me klubin ose janë pranë gjetjes së rrugëzgjidhjes për të prishur kontratën. Burime në klub bëjnë me dije se mes Takajt dhe lojtarit vijon të ketë biseda të vazhdueshme për të dalë në përfundimin që të dyja palët presin, ndërprerjen e bashkëpunimit, edhe pse Berishës i kanë ngelur gjashtë muaj kontratë me Skënderbeun deri në 31 dhjetor 2022.

“Panorama Sport” është munduar të kontaktojë me lojtarin, por ky i fundit nuk ka pranuar të japë informacion rreth bisedimeve të rastit. Gjithsesi, gjasat janë që palët ia kanë dhënë dorën njëri-tjetrit, duke gjetur edhe formulën e ndërprerjes së bashkëpunimit. Më herët u përfol se Berisha mund t’i bashkohet Partizanit si lojtar i lirë.

KONGOLEZI- Nga ana tjetër, korçarët shkëpusin bashkëpunimin edhe me kongolezin 25- vjeçar, Gutrand Meil, i cili kishte mbërritur te Skënderbeu si një lojtar që mund të bënte diferencën. Por shumë shpejt ai doli jashtë planeve të klubit. Afrimi i Gresild Likës, një lojtar cilësor që po jep maksimumin në ekip, ka krijuar treshen e sulmit te korçarët duke ndryshuar balancat në grup. Në të tilla kushte lojtarit i është bërë me dije se nuk është më zgjedhje e parë e Memellit, ndaj palët kanë vendosur të rishikojnë kushtet e bashkëpunimit. Nisur nga kjo, Meil duket se ka gjetur akordin me Tërbunin dhe do të transferohet atje për të vijuar aventurën e tij në Pukë.

AFRIKANËT- Edhe pse në javët e fundit të merkatos, Skënderbeu është në pritje të afrikanëve të tjerë që do t’i bashkohen ekipit. I pari që është shfaqur në Korçë është Dramane Konate që vjen nga Verona në Itali. Lojtari është bashkuar me ekipin dhe pritet që sot ta zhvillojë të plotë seancën stërvitore. Nga ana tjetër bardhekuqtë presin edhe Derrik Frimpong që luan si mesfushor dhe Leonar Uoso, sulmuesin anësor që do të kompletojë repartin e avancuar të bardhekuqve.