UEFA e evidentoi pritjen ndaj Zhi rusë, në ndeshjen Shqipëri-Francë, si një prej atyre për vitrinë. Fiks në ceremoninë inauguruese të stadiumit “Arena Kombëtare”.

Me SPAL-in, portieri kuqezi realizoi një tjetër shpëtim të portës nga ato që në Itali e vlerësojnë si pritja e javës. Në redaksinë e “Sportmediaset” është krijuar një renditje për çmimin “Portieri Supermen”. Etrit Berisha ka marrë kreun në këtë klasifikim pas 13 javëve të zhvilluara në Serinë A.

KLASIFIKIMI

Portieri i Kombëtares dhe SPAL-it ka bërë pritjen e javës, duke u vlerësuar me pikëzimin maksimal, 3 pikë. Pas çdo jave të zhvilluar në Itali, redaksia italiane ka vlerësuar me 5 pikë vendin e parë, 3 atë të dytë dhe me një portierin e fundit që plotëson podiumin. Pas 13 ndeshjeve të zhvilluara në elitën e futbollit italian, portieri i Kombëtares ka marrë kreun e renditjes për “Portierin Supermen” me 11 pikë.

Berisha dhe SPAL janë evidentuar në Itali për disa paraqitje që kanë zhvilluar. Numri një i portës së ekipit italian ka shpëtuar shumë herë skuadrën e tij nga pësimi i goleadave, edhe pse, sipas statistikave, SPAL është ekipi që pëson numrin më të madh të goditjeve në kuadrat.

HANDANOVIÇ & CO

Luan me SPAL-in, por Berisha tregohet vazhdimisht si një nga pikat më të forta të kësaj skuadre. Pas shqiptarit me një pikë më pak në këtë klasifikim, renditen Meret i Napolit dhe Radu i Xhenoas. Handanoviç i Interit gjendet në vend të katërt me nëntë pikë, njësoj sa Olsen e Skorupsi.

THOMAS STRAKOSHA

Mes më të mirëve për këtë renditje është edhe portieri tjetër i Kombëtares, Thomas Strakosha. Gardiani i katërkëndëshit të Lacios renditet në vend të tetë me pikë të barabarta me Dragovskin.

Numri një i portës së skuadrës kryeqytetase ka lënë pas tij portierë si Audero, Gabriel, Papu Lopez, Sepe, Sirigu, secili me nga pesë pikë. Më poshtë në vend të 14-të në këtë renditje gjendet Xhanluixhi Donaruma i Milanit. Kuqezinjtë kanë vuajtur në këtë start sezoni, teksa kanë pësuar shumë gola dhe nuk kanë pasur shumë siguri në prapavijë.