Basania U19 e ka nisur kampionatin e kategorisë së parë ku është si debutuese, me një fitore me shumë vlerë. Duke luajtur në fushën e saj ndaj Besëlidhjes, ajo ka arritur të përmbysë rezultatin dhe të fitojë 2-1.

Protagonisti kryesor i kësaj fitoreje ka qenë padyshim mesfushori 17 vjeçar Besard Limani. Ai ka shënuar të dy golat e kësaj ndeshje, atë të fitores pikërisht në minutat shtesë, duke gëzuar të gjithë skuadrën, por edhe trajnerin Ersi Çaku i cili per “Shkodra Sport” e vlerëson shumë atë si lojtar me cilësitë e tij sportive.

“Limani shënoi dy gola në këtë ndeshje dhe ishte lojtari që spikati. Sidomos ekzekutimi në rastin e golit të dytë, me një goditje dënimi nga 22-23 metra distancë nga porta duke e dërguar topin në rrjetë dhe duke na dhënë avantazhin pikërisht në minutat shtesë të ndeshjes.

Ai është një djalë shumë i përkushtur pas futbollit, e don jashtëzakonisht shumë këtë lojë dhe normalisht tek ai nuk kishte si të mungonte dëshira dhe pasioni për sportin pasi vjen nga një familje sportive (është djali i kampionit të mirënjohur të boksit Besnik Limani).

Besardi ka cilësi shumë të mira fizike, shpejtësia është ana e tij më e mirë. Unë shpresoj shumë që ai një ditë të bëhet një sportist cilësor dhe të ndjekë dëshirat e tij personale”- ka thënë trajneri Çaku./SHKODRA-SPORT.COM/