Prej një dekade skuadra e Besëlidhjes militon në Kategorinë e Parë, madje ka provuar edhe rënien në të dytën. Kanë qenë shpesh afër ngjitjes në elitën e futbollit shqiptar, por janë ndëshkuar ndonjëherë nga golavarazhi dhe ndonjëherë nga ndeshjet direkte me kundërshtarët e tyre për rrugën drejt elitës.

Por, këtë vit, edhe pse do të kenë kundërshtarë Vllazninë në Grupin A, lezhjanët nuk dorëzohen. Madje, janë të parët që kanë nisur merkaton. Kanë firmosur me trajnerin Ndriçim Kashami, i urtë dhe shumë punëtor, duke iu përshtatur më së miri filozofisë së presidentit Gjok Noka.

Kashami ka nisur menjëherë nga puna për të zëvendësuar vendet e lëna bosh nga lojtarët që u larguan gjatë merkatos së verës. Puna po vijon me intensitet, ndërsa çdo gjë është e pazbuluar. Por, burime për “eduasportin.com” tregojnë se lezhjanët janë duke afruar lojtarë cilësorë në sulm.

Dy të fundit që pritet të zbresin në Lezhë janë sulmuesit premtues nga Guinea, Soumah Aboubacar, i lindur më 17 shtator të vitit 1998 dhe Labert Thea i lindur më 18 janar të vitit 1999. Një dyshe perfekte në sulmin e lezhjanëve, të cilët kanë rikthyer nga huazimi dy lojtarët që vjet u aktivizuan te Flamurtari, Lancinet Sidibe dhe Sekou Camara.

Kashami do të ketë në përbërje të skuadrës lojtarë me peshë dhe rivaliteti me Vllazninë do të jetë i ashpër. Pse jo, me këto kualitete Beslidhja mund të tentojë seriozisht rikthimin në elitë pas dhjetë vitesh mungesë. Sezoni i fundit i lezhjanëve në Superiore ka qenë ai 2007-2008 dhe tashmë duket se ka ardhur ora për rikthim. /EDS/