Besëlidhja ka marrë një barazim me shumë vlerë në Librazhd ndaj Sopotit dhe si rrjedhojë ruan vendin e parë në renditje. Barazimi i sotëm i afron lezhjanët edhe më shumë me kategorinë e parë sepse sfida e sotme ka qenë shumë përcaktuese në garën për titull.
Pavarësisht se skuadrës së drejtuar nga trajneri Elvis Plori i bënte punë edhe barazimi në këtë takim, ajo ka luajtur në sulm duke kërkuar me ngulm fitoren sepse kështu mund të mbyllte rivalitetin me Sopotin.
Pjesa e parë pavarësisht rasteve të krijuara është mbyllur në barazim 0-0. Në të dytën ka qenë sulmuesi Akansase i cili e ka kaluar në avantazh Besëlidhjen në minutën e 78-të dhe kjo krijoi bindjen se ajo do ta fitonte ndeshjen, por nuk do të ndodhte kështu.
Vendasit e Sopotit ndonëse me një futbollist më pak nga minuta e 27-të e pjesës së parë për shkak të daljes me karton të kuq të Troksit, ia kanë dalë që të barazojnë shifrat pesë minuta para fundit me anë të futbollistit Aminu.
Përfundimisht barazim 1-1 dhe Besëlidhja pas javës së 12-të të kampionatit kryeson e vetme renditjen me 30 pikë, e ndjekur nga Sopoti i vendit të dytë me 27 pikë dhe Shiroka e vendit të tretë me 26 pikë.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


