E ka mbyllur fazën e parë në vendin e dytë të renditjes, por në Lezhë nuk janë të kënaqur me këtë pozicionimin aktual të Besëlidhjes. Kjo sepse sipas tyre, skuadra i ka të gjitha kapacitetet dhe potencialet e duhura për të qenë e para dhe njëkohësisht pretendentja kryesore për ngjitjen një kategori më lart.
Edhe në miqësoren e së shtunës ndaj Vllaznisë në “Loro Boriçi”, të fituar nga lezhjanët me rezultatin 2-1 falë golave të shënuar nga Dibra dhe Marku, ata treguan se dinë të luajnë bukur futboll dhe janë një skuadër solide në fushën e lojës.
Vetë trajneri Dritan Smajli u shpreh se objektivi i Besëlidhjes është i qartë: Rikthimi aty ku i takon. Por për të arritur këtë gjë është bërë vetëm gjysma e punë dhe tashmë mbetet për t’u arritur gjysma e dytë e cila është edhe më e vështirë.
Për më tepër që gjithçka fillon nga ndeshja e parë e këtij viti, ajo kur Besëlidhja do të presë në fushën e saj ekipin kryesues të kampionatit- Valbonën e Tropojës. Një fitore ndaj këtij kundërshtari do të thoshte shumë gjëra, por jo gjithçka.
Përbërja që skuadra lezhjane ka në gjirin e saj premton shumë sepse shumica janë lojtarë me përvojë, të cilët janë alternuar mirë me elementin e ri dhe nën kujdesin e treshes së trajnerësve Smajli- Kruja- Hoxha, do të mundohen fort deri në fund për arritjen e objektivit./SHKODRA-SPORT.COM/