Besëlidhja merr një tjetër fitore dhe vijon të mbajë vendin e parë në tabelën e renditjes edhe pas javës së katërt të kampionatit. Pasditen e sotme ajo ka pritur në stadiumin e Lezhës ekipin e Gramshit, ndaj të cilit ka triumfuar me rezultatin 2-1.

Ka qenë futbollisti maroken që luan për lezhjanët- El Karicha i cili ka zhbllokuar shifrat në minutën e 18-të, ndërkohë që më pas do të ishte rradha e sulmuesit shkodran Jasmin Rraboshta për të dyfishuar shifrat në minutën e 24-të dhe këtu duket se gjithçka do të merrte fund.

Për më tepër që pesë minuta më vonë futbollisti i Gramshit Dhimitri do të ndëshkohej me karton të kuq. Me një futbollist më shumë dhe me dy gola epërsi, u krijua përshtypja se Besëlidhja do ta thellonte edhe më shumë rezultatin në pjesën tjetër të ndeshjes, por nuk do të ndodhte kështu.

Pjesa e parë u mbyll me shifrat 2-0 për vendasit. Ndërkohë në fillimin e pjesës së dytë, Gramshi do të ngushtonte shifrat me golin e shënuar në minutën e 54-të me anë të futbollistit Fuçija. Një gol ky që rihapi gjithçka, megjithatë në minutat e tjera nuk do të kishte shumë histori.

Përfundimisht 2-1 për Besëlidhjen e cila me këtë fitore ngjitet në kuotën e 10 pikëve dhe mban vendin e parë në renditje e vetme pas javës së katërt të kampionatit, ndërsa Gramshi mbetet në kuotën e 4 pikëve.(www.shkodrasport.com)