Të shtunën, më 29 nëntor 2025, Besëlidhja do të udhëtojë në transfertë për t’u përballur me Luzin 2008, në stadiumin e këtij të fundit, për llogari të javës së 8-të të kampionatit. Ky sezon ka sjellë ndryshime të rëndësishme për klubin lezhjan, që nga struktura drejtuese e deri te infrastruktura stërvitore.
Drejtimi teknik i Besëlidhjes i është besuar shkodranit Elvis Plori, një emër i njohur për tifozët lezhjanë, pasi ai e ka drejtuar skuadrën edhe në sezonin 2019–2020. Plori ka hyrë në historinë e klubit si trajneri që udhëhoqi Besëlidhjen në vitin e tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe gjatë pandemisë së Covid-19. Në atë sezon, ai e çoi skuadrën deri në finalen e “play off”-it për një vend në Superiore, ndeshje që u zhvillua më 2 gusht 2020 në “Loro Boriçi”, ku Besëlidhja u mposht nga Vllaznia me rezultatin 3-1. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Plori deklaroi:
“Kampionati ka hyrë në fazën më interesante, ku skuadrat kërkojnë të mbyllin fazën e parë sipas objektivave. Në bashkëpunim me presidentin Pjerin Fusha kemi ndërtuar një ekip konkurrues dhe besoj se nuk kemi gabuar. Fillimi ishte i vështirë, por me kalimin e kohës problemet u eliminuan.
Presidenti na ka plotësuar çdo kusht, ndaj na mbetet vetëm të punojmë me përkushtim për të arritur objektivat”. Trajneri shtoi se disa prej lojtarëve të afruar këtë sezon vijnë direkt nga Kategoria Superiore, duke theksuar se integrimi në një kampionat të nivelit të tretë ka sfidat e veta, sidomos nga ana psikologjike dhe e stilit të lojës.
“Tashmë ekipi është solid dhe grupi funksionon si duhet,” tha Plori. Seancat stërvitore zhvillohen në Gajush, në fushën e akademisë private të Gjergj Filipit, e marrë me qira nga klubi, ku kushtet janë shumë të mira. Megjithatë, trajneri pranoi se kjo javë dhe e kaluara kanë qenë të vështira për shkak të reshjeve të dendura dhe përmbytjeve në rajonin e Lezhës.
“Besoj se deri ditën e ndeshjes do të arrijmë të realizojmë të gjithë programin stërvitor për transfertën me Luzin”, theksoi ai. Në fund, Plori u shpreh i vendosur dhe optimist: “Objektivat e Besëlidhjes dihen. Po punojmë intensivisht për të rimarrë kreun.”















