Të shkruar për futbollin, këtë sport popullor, është sa e vështirë aq dhe me përgjegjësi, pasi interesimi është shumë herë më i madh dhe predispozita e njerëzve, për t’u përfshirë në të tilla promovime njohëse dhe përfaqësuese, është gjithashtu i një rëndësie të veçantë.

Gazeta “Zani i Malsisë” në përpjekjen e saj për të promovuar emra dhe kontribute, personalitete dhe vlera, të cilat i’u bënë krahë krenarie Malësisë, do të sjellë një profil për Besnik Dulin, një nga figurat më përfaqësuese të traditës së futbollit.

Ai u lind në Koplik në vitin 1962. Roli qe ka patur në fushën e lojës, jane mbrojtës dhe mesfushor, autor i 40 golave me ekipin e “Naftetarit”, ku Besnik Duli ka arritur edhe lavdin e tij si futbollist.

Besnik Duli është një emër i njohur dhe një vlerë e pranuar dhe e konsideruar në traditën malësore të futbollit. Besnik Duli nënkupton futbollin dhe historia e futbollit të Malësisë, nuk mund të pranohet pa Besnik Dulin.

Rruga që atij ju desh për të ardhur deri te kjo mirënjohje e “Zani i Malsisë”, deri te vlerësimet e shumta, te rezultatet e pafundme të punës dhe përpjekjeve të tij, ishte një rrugë e gjatë, një udhë që kaloi nëpër shumë pengesa dhe vështirësi gati të pakalueshme. Por Besnik Duli, i shquar si një malësor me karakteristikat dhe cilësitë dalluese të malësorit, mposhti vendosmërisht çdo ndalim, ishte pranues çdo ndihme dhe i hapur për çdo mundësi.

Si në çdo aspekt tjetër të jetë, ku përpjekjet dhe sakrificat, janë ato që përcaktojnë të ardhmen dhe lavdinë, edhe në atë të futbollit, Besnik Duli dha çdo gjë që kishte, me mish e me shpirt. Jeta e tij ishte fusha e blertë, ishte zemra e zjarrtë e atyre djemve që i kishte lidhur pasioni me futbollin, ishte masa e madhe e sportdashësve, të cilët u bënë urëkalimi nga një sfidë në tjetrën, nga një arritje tek një sukses, nga një premisë tek një rezultat.

Ky është futbolli, ky është shpirti i fushës së blertë, kjo është zemra e asaj energjie që bën të shpërthejnë njëkohësisht buçima e qindra e mijëra tifozëve, kjo ishte dhe është ajo që ka mbrujtur në zemër dhe në shpirt, malësorin, Besnik Duli.

Për ta bërë më të plotë këtë portret të të mirënjohurit Besnik Duli, lipset një parakalim në fakte dhe shifra, në të shkuarën dhe në të tashmen e tij. Kjo është një përmbushje e kësaj panorame, e këtij përfaqësimi, e kësaj njohjeje.
Si parantezë duhet të themi se, mjeshtri Besnik Duli, me përvojën e tij të gjatë, me përkushtimin dhe vendosmërinë, për të çuar në përmbushje çdo angazhim, ka drejtuar mbi 22 vite ekipin e “Veleçikut”, plus të rinjtë dhe moshat, kohë e cila ishte sprovë mundësish.

Besnik Duli megjithëse i diplomuar për Bio-Kimi, jeta e tij është futbolli. Ai, për veprimtarinë e tij plot pasion është vlerësuar me “Pllakat” nga Federata Shqiptare e Futbollit, akorduar në dhjetor 2008, për kontribut të çmuar shumëvjeçar në fushën e lojës dhe zhvillimin e futbollit Shqiptar.

Kjo mirënjohje është jo vetëm vlerësim për punën e tij të palodhur dhe përpjekjet e tij të panumërta, por është në të njëjtën kohë dhe një atribut krenarie për Malësinë. Sepse Besnik Duli kudo që ka shkuar, kudo që ka kontribuar, kudo që ka arritur rezultate, ai ka përfaqësuar Besnikun dhe Malësinë.

Duke shkuar më tej në retrospektivë, në të kaluarën, në themelet e arritjeve të tij, vërejmë se, Besnik Duli jep normat për mjeshtri sportive, pasi mbaroi klasën e 8-të, ku në 6 konkurrues dal i dyti. I del e drejta e shkollimit dhe do të shkojë në Kuçovë (ish-Qyteti Stalin) për Shkollë Industriale, gjatë periudhës 1977-1981, ku u angazhua me të rinjtë e Naftëtarit, kategoria e parë (sot Super Liga) 1978-79 e 79-80).

Duli shprehet se në sezonin e dyte kaloi në ekipin e parë me trajner, Fatmir Frashërin, në janar të vitit 1980. Pra nga viti 1980 deri në vitin 1988 luan në kategorinë e parë. Në vitet 1993-1994 aktivizohet në kategorinë e dytë. Në vitin 1991 -1992 luan me Spartin e Poliponezit, Greqi, në fazën e dytë. Në vitin 1994 kthehet nga Kuçova. Më 1995 filloj trajnimin e ekipit të Veleçikut, një realitet futbollistik i harruar.

Si çdo fillim, edhe ky ishte shumë i vështirë për Besnik Dulin, por i mësuar në vështirësi, i sprovuar në sfida, ai arrin ta nxjerrë nga “koma” këtë skuadër, për ta kthyer me zemër dhe me shpirt në fushën e blertë. Jo vetëm kaq, për ta bërë Veleçikun një skuadër me tifozëri, me ndjekës të pasionuar dhe me kontributorë që shpresonin tek një e ardhme premtuese për këtë skuadër. Sepse një emër si Besnik Duli ishte një garanci për rezultate, për progres dhe mundësi konkurruese, për një të ardhme të një ekipi malësor, për një pasurim dhe ecuri të traditës së futbollit të kësaj treve.

Skuadra e Veleçikut, me kontributin e tij dhe jo vetëm, për dy vite kalon nga kategoria e tretë në të dytën dhe me përpjekje dhe vendosmëri për të kapërcyer ndalesat, vjen momenti i artë në vitin 2002 -2003, kur Veleçiku me trajner Besnik Dulin dhe president, R. Likaj, ekipi ngjitet në kategorinë e parë. Përsëritet ky sukses në vitin 2012-2013, për të ngulmuar me të njëjtat sfida futbollistike në vitin 2017-2018.

Kjo është ekspozeja njohëse e veprimtarisë së Besnik Dulit, e përpjekjeve dhe sfidave që e shndërruan këtë emër në një vlerë për futbollin e Malësisë dhe ambiciet e saja për të qenë një konkurrues i fortë i fushës së blertë, përballë ekipeve të mëdha, përballë ambicies për arritje. Por emri i Besnik Dulit si futbollist dhe si trajner, nuk mund të kuptohet pa kontributin e tij si mësues i edukimit fizik.

Ai jep vlerat e tij në këtë sipërmarrje që nga viti 1995 e në vazhdim, punë dhe përkushtim i cili është vlerësuar me titulln “Mësues mjeshtër”. Ky është Besnik Duli, kjo është historia e këtij emri që u radhit në plejadën e gjithë asaj madhështie emrash dhe kontributesh që e bënë Malësinë e Madhe, krenari për të gjithë.
^Marre nga “Zani i Malsisë”