Fitorja e sotme ndaj Ilirisë ka entuziasmuar të gjithë në kampin koplikas. Tifozët e shumtë që e kanë ndjekur atë edhe në këtë sfidë, kanë dalë të kënaqur nga fusha “Reshit Rusi”.

Duke folur pas ndeshjes për gazetarët, trajneri Besnik Duli do të shprehej kështu në lidhje me takimin e sotëm: “Loja në pjesën e parë ka qenë thuajse e barabartë por pas shënimit të golit, gjithçka ka folur për ne.

Kemi dominuar në të gjitha drejtimet ndaj kundërshtarit duke treguar vlerat e një skuadre në rritje. Vërtetë kemi humbur dy ndeshjet jashtë fushës sonë por edhe në ato jemi paraqitur shumë mirë, ndërda në ndeshjet e luajtura në fushën tonë, shfaqemi edhe më mirë.

Dua të falenderoj djemtë për përkushtimin që tregojnë si në stërvitje ashtu edhe në ndeshje dhe nëse vazhdojmë kështu, objektivi që kemi për të qëndruar në kategorinë e parë, është plotësisht i arritshëm”.

Javën e ardhshme ndërkohë, Veleçiku do të luajë ndaj Vllaznisë dhe në lidhje me këtë takim, trajneri Duli shprehet: “Të luash ndaj Vllaznisë nuk është e lehtë dhe këtë e tregon më së miri edhe fakti që ajo udhëheq renditjen me pikë të plota.

Megjithatë, do të mundohemi të bëjmë një lojë sa më të bukur, për të kënaqur edhe tifozët e shumtë të të dy skuadrave që besoj se do ta ndjekin këtë sfidë. Sa për rezultatin, t’ia lëmë fushës këtë gjë.Të fitojë më i miri”.
© shkodrasport.com