Një nga emrat më të shquar të boksit shqiptar të pasviteve ’90, pikërisht Besnik Gjetja, ka vendosur të bëhet gjyqtar në këtë sport. Ai ka disa kohë që ka nisur të ushtrohet dhe në kampionatin e 18 vjeçarëve të zhvilluar para pak ditësh në Vlorë, ai është ngjitur për herë të parë në ring si gjyqtar. Njeriu që është shpallur disa herë kampion i vendit në këtë sport, njeriu që është i pari boksier profesionit në vendin tonë, tani e tutje do ta shohim si gjyqtar. I pyetur nga gazeta www.shkodrasport.com përse zgjodhi këtë gjë, ai është shprehur: “Sporti dihet që është pasioni i madh i imi. Pas karrierës si sportist, jam munduar t’i qëndroj sërish pranë në mënyra të ndryshme. Kuptohet që do ishte më mirë të isha trajner sot por shkak të dënsitetit të punëve që kam, nuk mund t’i përkushtohem çdo ditë. Kështu që zgjodha fushën e gjykimit sepse edhe aty mund të jap kontributin tim për rritjen e cilësisë së këtij sporti”. Si një sportist i dalë nga Vllaznia, ai ka dhënë kontributin e tij për këtë ekip në marrjen e disa titujve kampionë. Shkodranët sivjet duan të marrin titullin e 20-të si ekip dhe Gjetja i pyetur nëse ata mund t’ia dalin, ka thënë: “Vllaznia ka qenë gjithnjë në elitën e këtij sporti. Edhe sivjet, shoh që sportistët e saj kanë punuar shumë dhe kanë dëshirë ta fitojnë titullin e 20-të. Mendoj se do ketë konkurrencë të fortë por në fund, unë e shoh ekipin shkodran si më të favorizuar për ta fituar këtë titull”. E rëndësishme është që Besnik Gjetja është sërish pranë sportit të boksit dhe ky sport ka nevojë për figura të tilla sepse vetëm kështu dhe me kontributin e tyre, ai mund të shkojë më përpara.
Gjergj KOLA