Çiro Imobile është njeriu kryesor i Lacios, teksa me golat e tij sulmuesi ka bërë që ekipi të arrijë në nivele të larta, madje edhe të jetë pjesë e Ligës së Kampionëve. Mirëpo, golat dhe rekordet e Imobiles nuk mbeten pa marrë vëmendjen edhe të klubeve të tjera.

Por, në këtë aspekt klubi kryeqytetas mund të qëndrojë i qetë pasi ish-lojtari i Dortmund thotë se ka vendosur të “martohet” me projektin e Lacios. Madje, shtoi se nuk do ta ndryshonte dashurinë që merr një nga njerëzit në rrugë, as për një klub që mund të aspirojë Champions League.

“Në jetë bëhen zgjedhje dhe unë e kam bërë. Kam vendosur të “martohem” me projektin e Lacios deri në fund të karrierës sime. Ndihem përgjegjës për lumturinë e tifozëve. Është krijuar një lidhje shumë e fortë me shoqërinë, tifozët, trajneri.

Familja ime ndihet shumë mirë në Romë. Për karrierën synohet maksimumi, por jam i lumtur për atë që kam gjetur këtu, për atë që kam fituar këtu si në nivelin personal ashtu edhe në atë për skuadrën. Kur erdha te Lacio, ekipi ishte në mesin e tabelës, pastaj me të tjerët e kemi ngritur. Dashuria që më dhurojnë njerëzit në rrugë, nuk mund të kalohet asnjëherë nga një klub që aspiron Champions”, u shpreh Imobile. /Vipsport/