Agjensia e spektakleve “Buna 1” do të organizojë në muajin janar spektaklin tashmë tradicional “Best 10 North 2018” dhe në mes të tjerë do të përzgjedhë edhe trajnerin e moshave më të mirë të vitit. Një çmim ky për të stimuluar ata që punojnë me moshat e reja në Shkodër.

Organizatorët kanë përzgjedhur katër emra të cilët do të votohen për të zgjedhur pastaj më të mirin. Bëhet fjalë për trajneren e volejbollit të të rejave Ana Gjelaj që u shpall kampion kombëtar për vitin 2018. Po ashtu, i përzgjedhur është edhe Fatjon Serhati, trajner i atletikës për të rinj kampion i padiskutueshëm edhe në vitin që po lëmë pas.

Një tjetër trajner është edhe Leonard Kola i cili me ekipin e çiklistëve të rinj ka dominuar në të gjitha garat kombëtare të zhvilluar në këtë vit. I katërti është trajneri i ekipit Vllaznia U19 në futboll Luan Zmijani, i cili edhe ai është shpallur kampion në vitin 2018.

Katër trajnerë që kanë treguar vlera në punën e tyre dhe jo më kot kanë ardhur edhe rezultatet. Por nga katër të tillë, vetëm njëri do të zgjidhet si më i miri.

Megjithatë tashmë e kanë në dorë shkodranët për të zgjedhur më të mirin. Votimet do të zgjasin një muaj dhe ndërkohë ceremonia e shpalljes së më të mirëve do të zhvillohet më datë 20 janar në teatrin Migjeni.
© shkodrasport.com