
Ndeshja e së mërkurës për kupë me Teutën është shumë e rëndësishme për Vllaznisë sepse asaj i duhet fitorja për të hedhur hapin e kualifikimit për në gjysmëfinale. Për këtë arsye, kuqeblutë do të ishin të kënaqur edhe me një fitore 1-0 në ndeshjen që do të luhet në “Loro Boriçi”. I këtij mendimi është mbrojtësi i kësaj skuadre Ditmar Bicaj në një prononcim të tij për mediat ditën e sotme. “Takimi me Teutën i vlefshëm për Kupën e Shqipërisë sigurisht që është shumë i rëndësishëm për ne. Luhet me dy takime por meqë ndeshja e parë është në Shkodër,kuptohet që na e shton më shumë përgjegjësinë. Kryesore për ne është që të mos pësojmë gol në këtë ndeshje, pastaj të shohim përpara. Mendoj se duhet të jemi të kënaaqur edhe me 1-0 këtë herë. Kupa patjetër që është një objektiv shumë i rëndësishëm për ne dhe synimi i klubit besoj se është për të kaluar në finale. Vllaznia ka treguar se mund të zhvillojë lojëra të mira, kjo ndodhi edhe me Kukësin ku vërtetë humbëm në fund, por të gjitha janë koshient se fitorja na takonte ne”- është shprehur ai. Mbrojtësi shtatëlartë ka folur edhe për kampionatin duke thënë se Vllaznia nuk do të rrezikojë. Ai njëkohësisht, u ka bërë thirrje tifozëve të jenë të pranishëm nesër në stadium për ta mbështetur skuadrën e tyre të zemrës ajo ka nevojë për ta. “Që i vogël jam befasuar gjithnjë nga mënyra si tifozët shkodranë e mbështesnin Vllazninë. Tani janë larguar disi nga shkallët e stadiumit megjithatë nuk e kuptoj arsyen pse ka ndodhur kështu por shpresoj shumë që nesër, të jenë më të shumtë në shkallët e stadiumit për të na mbështetur. Sa i takon kampionatit, Vllaznia nuk besoj se rrezikon megjithatë duhet të bëjmë shumë kujdes dhe t’i marrim ndeshjet një e nga një, duke nisur nga takimi i rradhës me Partizanin me të cilin kemi zhvilluar lojëra të mira këtë sezon dhe kemi marrë edhe rezultate pozitive.Pse jo të mos ndodhë edhe këtë herë kështu”- është shprehur Bicaj i cili e ka pranuar se ka patur oferta gjatë kësaj periudhe por ka vendosur të qëndrojë deri në fund të sezonit në Shkodër. Takimi Vllaznia- Teuta do të luhet të mërkurën në orën 14.00 në stadiumin “Loro Boriçi” dhe natyrisht që kjo ndeshja ka shumë rëndësi për të ardhmen e skuadrës shkodrane në Kupën e Shqipërisë, trofeu i vetëm ku ajo mund të pretendojë ende për ta fituar atë.
© shkodrasport.com