Ndoshta nuk e filluan ndeshjen kundër Partizanit në mënyrën më të mirë të mundshme, ku në një bashkëpunim të dobët të tyre pësuam gol që në minutat e para. Por performanca erdhi në rritje duke qenë vendimtar për kalimin e Vllaznisë në finale. Fjala është për dyshen malazeze të kuqebluve, Zogovic dhe Bulatovic.

Të dy futbollistët nga vendi fqinj ishin nga më të mirët në fushë për shkodranët, për të mos thënë që ishin “heronjtë e heshtur” të duelit kundër të kuqve.

Darko Bulatovic që ndoshta në mënyrë surprizë ishte titullar, zhvilloi një ndeshje për tu mbajtur mend. Duke markuar në çdo çast Skuken apo Malen, e duke limituar në maksimum rrezikun në portën shkodrane.

Bojan Zogovic vijon të konfirmohet si një nga portierët më të mirë në Shqipëri. 33-vjeçari është një siguri me vete në katërkëndësh. Ku nuk mjaftoi paraqitja shumë pozitive gjatë 120 minutave, por u shndërrua në atë që i hapi rrugën kualifikimit. Kjo pasi arriti të neutralizonte goditjen e parë të penalltisë nga Skuka.

Dyshja malazeze konfirmon edhe njëherë traditën pozitive që kanë pasur lojtarët nga vendi fqinj tek Vllaznia ndër vite. Tashmë një binom që krijon siguri tek kuqeblutë në këtë fund kampionati. Ku patjetër gara do jetë e zjarrtë dhe e ashpër deri në përfundimin e tij.
Endri ÇINARI