Tjetër fitore për Vllaznia U19 e cila vazhdon të ruajë vendin e parë në renditje katër javë para fundit të fazës së dytë të kampionatit. Ajo ka fituar sot 3-1 në “derbin” ndaj AAS.

Një ndeshje shumë interesante ka qenë kjo e zhvilluar në fushën “Reshit Rusi” dhe sidomos për pjesën e parë ka qenë një spektakël i vërtetë. Duhet thënë se kanë qenë djemtë e drejtuar nga trajneri Meçenovi të cilët kanë kaluar të parët në avantazh me anë të Kuturelit në minutën e 20-të.

Një avantazh i merituar për këtë ekip që në të gjitha ndeshjet përballë kuqebluve kanë dhuruar një futboll shumë të bukur. Megjithatë në minutën e 37-të do të ishte Akileu Ndreca që do të barazonte shifrat dhe pjesa e parë në këtë mënyrë do të mbyllej në barazim 1-1.

E dyta do të fliste tërësisht për Vllaznia U19 e cila fillimisht ka kaluar në avantazh me anë të mesfushorit Kulla në ’57 dhe më pas, dhjetë minuta më vonë do të ishte sërish Ndreca që do të shënonte golin e tretë për skuadrën e tij dhe të dytin personal.

Në këtë mënyrë, Vllaznia U19 ka fituar 3-1 dhe me këtë rezultat, ajo është ngjitur në kuotën e 56 pikëve duke qenë sërish e shkëputur tre pikë nga Shkëndia e vendit të dytë e cila sot ka fituarn 6-1 ndaj Ilirisë.
© shkodrasport.com