Sezoni 2025-2026 do të mbahet mend për Shoqatën Sportive “Scutari”. Ajo ka triumfuar me tre grupmosha në kampionatet e zhvilluara nga Shoqata Rajonale e Futbollit Shkodër. Pas suksesit të javës së kaluar me ekipin U17 me të cilin u kurorëzua kampion, e njëjta gjë ka ndodhur edhe me dy grupmosha të tjera.
Ceremonia përmbyllëse e kampionateve të Ligës Amatore për moshat U13 dhe U15 është zhvilluar pasditen e djeshme në kompleksin sportiv “Zmijani”. Drejtuesit e Shoqatës Rajonale kanë vlerësuar edhe më të mirët në përfundim të këtyre kampionateve.
Kështu për moshën U13 kampion është shpallur ekipi “Scutari” me trajner Met Hasajn që ka dominuar ndaj të gjithë ekipeve të tjera pjesmarrëse në këtë kampionat. Po për këtë grupmoshë ka spikatur edhe ekipi i Veleçikut i cili është shpallur fitues i Kupës “Fair Play”.
Ekipi i Shoqatës “Scutari” ka spikatur edhe në kampionatin e grupmoshës U15 duke patur një rivalitet të fortë deri në fund me ekipin “Djelmnia shkodrane”, por në fund ka triumfuar ai dhe si rrjedhojë është shpallur kampion i Zonës së Shkodrës. Një meritë kjo e të gjithë sportistëve dhe e trajnerëve Gjilbert Marku dhe Mikel Keshtejaku.
Këto tre kupa të fituara nga kjo shoqatë tregojnë më së miri për punën që bëhet aty me të gjithë ekipet, por edhe tek infrastruktura teksa ka kushtet më të mira stërvitore nga të gjitha shoqatat e tjera dhe duke i mbledhur bashkë të gjithë këto faktorë, vijnë edhe sukseset.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”



